Skandali me tjetërsimin e pronave në Spille, nën akuzë kryebashkiaku i Ramës

Gjykata e Kavajës vendosi t’i bllokojë pasaportën dhe caktoi masë “detyrim paraqitje” për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i zgjedhur në 2015 prej koalicionit mes PS-LSI-PDIU (ASHE), i akuzuar bashkë me 9 persona të tjerë për tjetërsimin e 56 hektarëve bregdet në zonën e Spillesë.
Veç Nuredinit 4 persona, përfshi ish-krye regjistruesin e Zyrës Vendore të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, Asim Arkaxhiu u arrestuan, 2 janë shpallur në kërkim dhe ndaj dy të tjerëve janë marrë masa më të lehta sigurimi, ndërsa për një noter është caktuar “pezullim i aktivitetit”.
Në një reagim për median, Nuredini i mohoi akuzat, duke shtuar se ishte i hapur të hetohej.
“Mbështes hetimet. Autorët të vihen para përgjegjësisë. Unë kam zbatuar procedurën që parashikon ligji. Zbatova ligjin për regjistrim fillestar të pronave. I gatshëm gjatë hetimeve vura në dispozicion dokumentet”, deklaroi Nuredini.
Numri i të akuzuarve në këtë çështje, kryesisht zyrtar vendor, shkoi në 23 pas arrestimeve të nëntorit të vitit që shkoi.

Prokuroria dhe Policia në dy deklarata të ndryshme për mediat bënë me dije se, hetimet ishin vijim i operacionit të nëntorit të vitit të kaluar, kur u arrestuan 11 persona me akuza të ngjashme, ndërsa hetimet gjetën se pronat publike ishin tjetërsuar dhe përfituar nga të afërm të ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi dhe personave të tjerë pranë pushtetit lokal.
Sipas Prokurorisë, personat e ndaluar të hënën apo në kërkim, akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim dhe pastrim parash, ndërsa besohet se kanë tjetërsuar 56 hektarëve tokë në plazhin e Spillesë, përfshi edhe një poligon qitjeje në pronësi të Komandës së Forcës Ajrore.
Në vendimin e shkurtuar të Gjykatës për caktimin e masave të sigurisë, të cilin BIRN e disponon, vendoset bllokimi i pasaportës dhe masa “detyrim paraqitje” për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i caktuar nga PDIU dhe mbështetur nga PS dhe LSI në koalicionin e vitit 2015, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Ndërsa u ekzekutua masa e arrestit me burg për Asim Arkaxhiu, 44 vjeç, ish-drejtori i ZVRPP (Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) me akuzën e “shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve”. Me të njëjtat akuza u arrestuan Aldo Kila, 27 vjeç, jurist pranë ZVRPP, Kavajë, Shpendi Dema, 31 vjeç, jurist në Bashkinë Rrogozhinë dhe Arben Daja, 51 vjeç, sekretar dhe protokollist në Bashkinë Rrogozhinë.

Dy persona të tjerë ndaj të cilëve po ashtu u morën masë sigurie “arresti me burg” u shpallën në kërkim nga Policia. Idlir Karkini, biznesmen, i cili akuzohet për “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe Kryeinspektori i Mbrojtjes së Teritorit Vendor pranë Bashkisë së Rrogozhinës, Artur Tosku, i cili është nën akuzë për “shpërdorim detyre”.
Ndaj noterit Julian Zheleku u kërkua masë sigurimi me bug, por Gjykata vendosi “arrest shtëpie” me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa ndaj noterit tjetër A.A i përfshirë në hetim, u vendos “pezullim i aktivitetit”. Masë sigurimi “detyrim paraqitje” u dha edhe për A.K, me detyrë Inspektor i Mbrojtjes së Territorit Vendor, pranë Bashkisë Rrogozhinë.
Prokuroria bëri me dije se, hetimet për tjetërsimin e pronave në këtë zonë iu bashkuan një dosje më të hershme, pas kallëzimit të Komandës Ajrore, e cila kishte zbuluar tjetërsimin e pronës së saj një poligon qitjeje. Sipas Prokurorisë ishte mësuar se persona të ndryshëm kishin filluar pastrimin e poligonit me urdhër të biznesmenit me shtetësi italiane Idlir Karkini, i cili është shpallur në kërkim.
“Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konstatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtorë janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka çertifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit”, thuhet në kërkesën që Prokuroria bëri pranë Gjykatës për caktimin e masave të sigurisë. Sipas të njëjtës kërkesë, në mënyrë “të çuditshme” edhe pse “Ministria e Mbrojtjes kishte aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007, ajo nuk i është regjistruar, ndërsa në vitin 2016, kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit”.

Prokuroria dhe Policia njoftuan se operacioni, të cilin kjo e fundit e ka pagëzuar “Ranishtja”, është vijim i atij të nëntorit të vitit që shkoi kur u arrestuan 11 persona të tjerë me të njëjtat akuza, por për 36 hektarë në zona të tjera të Kavajës. Në pranga atëherë përfunduan Fatos Kaja, ish-zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh që deri në maj 2017 mbante postin e nënprefektit të Tiranës si dhe dy ish-zyrtarët e së njëjtës komunë, Behgjet Pjeci dhe Dashnor Çullhaj, drejtori i ALUIZNI-t Kavajë, Altin Çoba dhe ish-shefi i Kadastrës, Nezir Leçini, Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë, Andi Gjeçi, jurist, ZVRPP, Kavajë, Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë, Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë, Enver Duqi, ish-drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Kavajë dhe Seid Cikaleshi, ish-drejtues i Hipotekës së Kavajës.
Prokuroria thotë se, skema e tjetërsimin në të dy rastet është e ngjashme dhe përfshin po ashtu falsifikimin dhe fshehjen e dokumenteve të Këshillit të Qarkut Tiranë. Ndërkohë në hetimin e fundit janë përfshirë edhe ndërtimi i 27 lokaleve në të njëjtën zonë, që dyshohet se është bërë në shkelje të ligjit.
Hetime të Prokurorisë në Vlorë dhe Kavajë, kanë zbuluar tjetërsim të disa qindra hektarëve pronë publike kryesisht në bregdet, ndërsa në një shkrim të mëparshëm BIRN mësoi se edhe pas këtyre hetimeve shteti e kishte të vështirë të rimerrte në pronësi tokat e tjetërsuara.

Exit mobile version