Skandali, Veliaj ndryshon në fshehtësi planin rregullues të Tiranës dhe nuk e publikon

Erjon Veliaj, miraton në mënyrë tinzare, (metodë e përvetësuar hershëm kjo, dhe e stërpërdorur në Bashkinë e Tiranës) një akt për rishikimin e Planit të Përgjithshëm vendor të Bashkisë së kryeqytetit. Vendimi u mor befasishëm, që në mbledhjen e parë të Keshillit Bashkiak, të dalë nga votimi një partiak i 30 Qershorit.

Akti nuk përfshihej në rend dite, në mbledhjen e datës 26 gusht.

Ai u propozua nga një anëtar i Këshillit Bashkiak gjatë mbledhjes, dhe asnjë nga këshilltarët nuk kishte dijeni për të. Ndërkohë në njoftimin e rendit të ditës që iu shpërnda këshilltarëve bashkiakë më datë 23 gusht, figurojnë vetëm 6 pika, të cilat,

presupozohet që anëtarët e këshillit të bashkisë t’i kenë njohur e të kenë një qëndrim para votës që japin.

Futja në rend dite e “Rishikimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Tiranës u miratua automatikisht menjëherë pasi kryetari i këtij këshilli Toni Gogu e hodhi në votë. Edhe miratimi i projektvendimit u kalua në heshtje të plotë nga mediet, shumica prej të cilave edhe ato që vetëkonsiderohen opozitare, e transmetuan live, mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Ndërkohë vetë Kryebashkiaku Velaj është kujdesur më pas, që mbledhja e plotë e Këshillit Bashkiak të mos figurojë në faqen zyrtare të këshillit apo Bashkisë Tiranë, as në profilin zyrtar në rrjetet sociale. Aty gjendet vetëm fjala e kryebashkikut Veliaj, e mbajtur në mbledhjen e këshillit e asgjë më tepër. Debati në fund të mbledhjes është prerë gjithashtu nga stafi I P.R . të Veliajt.

Ndërkohë Shijak TV mëson se i vetmi që ka reaguar kundër kësaj paligjshmërie, në fund të mbledhjes ishte këshilltari Koli Bele. Ai tha se anëtarët e këtij institucioni nuk mundet të votojnë për një vendim të cilin nuk e kanë lexuar më parë e as e kanë në dorë në monmentin që iu kërkua të ngrenë kartonat.

Bele denoncoi aktin e futjes me procedurë të përshpejtuar të vendimit që ndryshon planin e Përgjithshëm vendor të Bashkisë së Tiranës. Por ky qëndrim kritik nuk pati asnjë vlerë pasi vendimi u miratua, kartonat u ngritën nga këshilltarët që as e kishin idenë se çfarë po miratonin.

Paligjshmëria dhe shkelja e hapur e procedurave të “parlamentit” të Tiranës, nuk mbaron këtu. Në vendimin zyrtar të Këshillit Bashkiak, vendimi për ndryshimin e planit të përgjithshëm vendor të Tiranës, nuk është publikuar, është mbajtur sërish i fshehtë, dhe askush deri tani nuk e ka denoncuar një fakt të tillë publikisht.

“Shijak TV” do të vijojë të ndjekë çështje deri në zbardhjen e qëllimit të miratimit në fshehtësi të këtij plani, që ngre dyshime për afera të tjera të kryebashkiakut Veliaj në Tiranë, pasi ligjërisht një plan vendor apo ndryshimi i tij duhet të konsultohet më parë publikisht e në bazë të procedurave i kalon për shqyrtim këshilltarëve bashkiake të cilët pranojnë ose jo ta hedhin në votë.

Exit mobile version