Skanimi në dogana, si u nda pagesa prej 11.3 milionë euro

S2 Albania, kompania që po zbaton marrëveshjen koncesionare për skanimin në dogana, ka deklaruar në tatime të ardhura prej rreth 1.5 miliardë lekësh për vitin 2016 apo 11.3 milionë euro. Subjekti nuk ka dorëzuar bilanc për vitin 2016, por të dhënat bëhen të ditura nga tatimet. Në krahasim me vitin 2015, kur xhiroja e deklaruar në bilanc ishte 1.5 milionë euro, të ardhurat janë rritur me 73 herë. Me kontratën që filloi të zbatohej më 7 shtator 2015, 2016-a ishte viti i parë i plotë i aktivitetit. S2 Albania ka deklaruar më 2016-n fitime, që arritën në 459 milionë lekë (para taksave), ose rreth 3.4 milionë euro, me një normë kthimi prej rreth 30%, duke iu shtuar në këtë mënyrë listës së koncesionarëve që kanë norma të larta fitimi.
Për çdo 100 lekë që bizneset ose buxheti kanë paguar për shërbimin e skanimit, 30 lekë kanë shkuar si fitim për koncesionarin. E krijuar më 22 maj 2013, S2 Albania ka si objekt “Zbatimin e marrëveshjes së koncesionit për skanimin e konteinerëve në dogana, si dhe çdo aktivitet tjetër lidhur me çështjen ose i kërkuar për të realizuar zbatimin e marrëveshjes. Kompania u krijua pas miratimit të Ligjit 123/2013 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë Rapiscan (pronare e S2 Albania), si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të konteinerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Ligji është miratuar më 24 prill 2013 dhe është miratuar nga presidenti më 2 maj 2013.
Koncesioni hasi që në fillim kundërshtimin e bizneseve, ndërsa qeveria e pas 2013-s, pasi nuk arriti ta anulonte e rishikoi marrëveshjen, sipas të cilës nga 7 shtatori i vitit 2015 filloi të paguhej 22 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro dhe 5 euro për çdo deklaratë doganore nën 1000 euro (tarifa u përgjysmua në raport me kontratën e mëparshme, kur ishte 39 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro). Ai u rishikua sërish, pak muaj më pas, duke përjashtuar një kategori biznesesh, që në fillim u detyruan t’i paguanin tarifat nga dy herë. Nga kjo tarifë, koncesioni i skanimit të konteinerëve që nuk aplikohet në asnjë vend tjetër të rajonit po i kushton biznesit shqiptar, ashtu siç pritej, rreth 12 milionë euro në vit.
Në marrëveshjen e rishikuar, buxheti i shtetit mori përsipër kompensimin e kostove të pambuluara me të ardhura në 7 vitet e para të aktivitetit të skanimit, ndryshe nga kontrata e mëparshme, ku koncesionari do të merrte direkt tarifën prej 39 eurosh për çdo deklaratë doganore, duke bërë që risku i humbjeve të merrej përsipër nga ky i fundit. Në total për 15 vite, Rapiscan do të marrë sipas kontratës së re 210 milionë euro. Kontratat e re përcakton që tarifa vjetore e vendit gjatë 12 muajve të parë, duke filluar nga data e fillimit, do të jetë 2.2 milionë euro për një pikë skanimi, ose 11.3 milionë euro për të 5 pikat gjithsej të skanimit (tre fikse dhe dy të lëvizshme).
Në vitin bazë që merret si pikënisje për llogaritjet, numri i deklaratave doganore me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro është afërsisht 400 mijë copë. Numri i deklaratave doganore me vlerën nën 1 000 (një mijë) euro është rreth 35 mijë copë. Nga një llogaritje e thjeshtë, shuma që shteti do të mbledhë nga këto tarifa nuk i kalon 9 milionë euro. Duke qenë se ai duhet t’i japë koncesionarit 11.3 milionë euro, duhet të paguajë nga buxheti diferencën prej 2.3 milionë euro, që në vitin e parë. Duke u shtuar dhe humbjen nga përjashtimi i pagesës së tarifës për disa kategori biznesesh, biznesit i ulen 2 milionë euro pagesa, që duhet t’i paguajë buxheti, duke e çuar në rreth 4 milionë euro shumën që duhet të mbulojë buxheti vetëm vitin e parë. Nuk ka të dhëna nëse koncesionari për vitin 2016 i ka mbledhur të gjitha të ardhurat e parashikuara nga biznesi apo ka kontribuar edhe buxheti për të plotësuar shumën e parashikuar në kontratë prej 11.3 milionë euro.

Artikulli paraprakQeveria e “Plehrave”, në dy vjet, 4 inceneratorë dhe 3 landfille
Artikulli tjetërVendgrumbullimi i mbyllur i mbetjeve burim ndotjeje për qytetin e Fierit