Skeda e dhunës/ “Nevriku” Dash Sula, nga zbazja e pistoletës në stadium, karrige mbi arbitrat, te grushti në Kuvend për kolegun Çollaku!

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, i cili nga antiberishist i thekur pas shpalljes së tij non grata, u konvertua “papritur” në ndjekës të tij, ka dhuruar këtë të enjte në Kuvend një shfaqje të turpshme provokimesh dhe deri dhune fizike ndaj kolegut demokrat, Kreshnik Çollaku. Por nëse kthehemi pas në kohë na rezulton se “nevriku” Sula, ka një skedë të pasur dhune deri në shkrehje të pistoletës në mes të një stadiumi të mbushur plot me njerëz dhe lojtarë.

Ngjarja

Pak minuta para se të fillonte ndeshja, deputeti i zonës së Peqinit, njëherazi edhe drejtues i lartë i klubit të Shkumbinit, mësohet të ketë hyrë në dhomat e zhveshjes i shoqëruar edhe nga tre persona të tjerë.

Zyrtarë të Federatës dhe përfaqësues të klubit të Flamurtarit, të pranishëm në vendngjarje, kanë treguar me detaje ngjarjen e ndodhur në ato minuta.

Në fillim ka pasur presion verbal, ku personat kanë sharë me libër shtëpie lojtarët dhe stafin e Flamurtarit. Më pas ata u janë drejtuar arbitrave, por nuk i kanë prekur ata për asnjë moment.

Janë goditur muret me shkelma, është përdorur fjalor i rëndë në adresë të tyre dhe kërcënime verbale. Delegati i ndeshjes, së bashku me vëzhguesin, i kanë kërkuar Sulës dhe personave të tjerë të largohen nga sektori i gjyqtarëve.

Burimet konfirmojnë se në këtë moment, Dashnor Sula ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar në ajër. Ai ndodhej pranë dhomës së arbitrave dhe ka zgjatur dorën në krahun e kundërt, në adresë të banjave, duke qëlluar me dorën lart vetëm një herë.

Zyrtarët e FSHF-së nuk kanë mundur të dallojnë nëse bëhej fjalë për plumba manovër, sikundër pretendohet jozyrtarisht nga pala peqinase, apo për plumba të vërtetë. Pas daljes nga ambientet e brendshme mësohet se Dashnor Sula ka qëlluar edhe dy herë të tjera.

Tensioni

Në fund të pjesës së parë tensioni ka qenë sërish i lartë në stadiumin e Shkumbinit. Është tentuar t’u bëhet presion lojtarëve të skuadrës vlonjate dhe arbitrave. Mësohet se janë thyer xhamat e dritares së skuadrës së Flamurtarit, por askush nuk ka mundur të hyjë në dhomat e zhveshjes së tyre pasi kanë qenë të rrethuar nga dy gardhe policësh të forcave speciale. Të tronditur psikologjikisht kanë qenë edhe arbitrat e ndeshjes, pavarësisht se në adresë të tyre mësohet se nuk është përdorur dhunë fizike. Kjo nuk është hera e parë që në stadiumin e Peqinit ndodhin trazira të tilla.

31 TETOR 2011

NDESHJA SHKUMBINI-LAÇI

DASHNOR SULA BËHET PROTAGONIST I DHUNËS NË FUTBOLLIN SHQIPTAR. NË PUSHIM TË NDESHJES SHKUMBINI-LAÇI I LËSHOHET ARBITRIT TË NDESHJES, ALBANO JANKU, TË CILIN KA TENTUAR TA GODASË ME GRUSHT, POR QË PËR FAT, PUNONJËSIT E POLICISË KANË REAGUAR NË KOHË.

29 PRILL 2012

NDESHJA TIRANA-SHKUMBINI

DASHNOR SULA, DEPUTETI I PEQINIT, BËHET SËRISH PROTAGONIST. EMOCIONET E TIJ I SHFAQ ME KRITIKA, POR EDHE ME HEDHJEN E KATËR KARRIGEVE NGA NERVOZIZMI. MADJE AI PATI EDHE NJË PËRPLASJE VERBALE ME SHEFIN E KLUBIT TË PEQINASVE, ASTRIT ISAJI./

Exit mobile version