Metodat tradicionale për zbulimin e manipulimit të një procesi zgjedhor, analizojnë votimin anormal në qendrat e votimit, të cilar kanë pasur një pjesëmarrje të lartë, dhe kryesisht identifikojnë mbushjen e kutive të votimit apo raste të tjera të falsifikimit të plotë të procesit të numërimit të votave.
Në fakt, asnjë nga këto metoda nuk gjurmoi ndonjë anomali në rastin e zgjedhjeve parlamentare të tetorit në Gjeorgji. Por publikimi i të dhënave mbi përbërjen gjinore të votuesve nga Komisioni Qëndror Zgjedhor në Gjeorgji ndryshoi gjithçka.
Është interesant fakti që votuesit që i hodhën votat e tyre në favor të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ishin meshkuj në një mënyrë shumë disproporcionale. Pra analistët e zgjedhjeve përdorën çekuilibrin gjinor dhe jo pjesëmarrjen, si çelësin kryesor për të zbuluar manipulimin e madh që ka ndodhur në këto zgjedhje.
Duke zbatuar metodologjinë e analistit të njohur Sergey Shpilkin për një palë variablash, The Insider ishte në gjendje të llogariste numrin e votave anormale: afro 300.000 që të gjitha në mbështetje të Ëndrrës Gjeorgjiane.
Shpjegimi matematikor mbi këto anomali, mbështetet nga rrëfimet e dëshmitarëve okularë të “votimit me karusel” nga grupime kryesisht meshkujsh. Organizatorët e kësaj skeme mashtrimi, morën kartat e identitetit origjinal – ose të paktën numrat e tyre – nga votuesit e vërtetë që kishin garantuar se nuk do të shkonin në votime.
Më pas votuesit e “karuselit”, i përdorën ato për të hedhur në kuti shumë vota. Shifrat e pjesëmarrjes nuk treguan ndonjë anomali, pasi mbajtësit e kartave të identitetit që kishin marrë para, nuk u paraqitën në qendrat e votimit. Më 20 dhjetor, OSBE-ja publikoi raportin e saj paraprak të vëzhgimit mbi zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, dhe të dyja palët e interpretuan atë në favor të tyre.
Por analiza statistikore e të dhënave zyrtare të KQZ-së, mund të na japë një përgjigje më objektive ndaj pyetjes nëse shumica parlamentare e Ëndrrës Gjeorgjiane është vërtet apo jo legjitime. Të dhënat zgjedhore në Gjeorgji janë unike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, publikon vetëm votat që kanë marrë kandidatët nga çdo qendër votimi, pa treguar pjesëmarrjen apo numrin e votave të pavlefshme, duke i bërë të pazbatueshme shumicën e metodave konvencionale të zbulimit të manipulimit të zgjedhjeve.
Megjithatë, disa të dhëna shtesë të kërkuara nga vëzhgues të pavarur u dhanë nga KQZ. Ndaj u publikuan statistika që tregonin karakteristikat gjinore të pjesëmarrjes në votime për çdo qendër votimi. Dëshmia kryesore e manipulimit të votave, gjendet në çekuilibrin gjinor të elektoratit të raportuar, i cili anon fort nga meshkujt.
Kjo është një anomali statistikore. Nëse nuk do të kishte manipulime, pjesëmarrja mesatare e burrave dhe e grave, do të ishte afërsisht e njëjtë. Por të dhënat gjinore të KQZ-së, ngjallën menjëherë dyshime. Fillimisht, KQZ-ja raportoi se kishin votuar 961.751 gra dhe 1.098.661 burra, një shifër e pabesueshme për një vend ku ka 200.000 gra më shumë se burra.
Pas habisë së arsyeshme të vëzhguesve vendas, KQZ-ja, në një përpjekje për të mbuluar skandalin, i fshehu të dhënat origjinale. Megjithatë, organi qeveritar ka nxjerrë pa dashje një dokument me të dhëna të detajuara për çdo qendër votimi. Raporti i dytë, u përpoq të maskonte anomalinë fillestare duke shtuar 91.911 votues femra dhe duke fshehur 88.975 votues meshkuj.
Por analistët nuk u gënjyen. Dokumenti i ndryshuar i KQZ-së liston 3.088 qendra votimi, 65 prej të cilave nuk përmbajnë të dhëna gjinore (52 jashtë shtetit dhe 13 qendra votimi të veçanta). 3.023 qendrat e mbetura të votimit janë përdorur si bazë e analizës aktuale. Në total janë përcaktuar me të drejtë vote 1.626.171 burra dhe 1.863.223 gra, nga të cilët 1.006.170 burra dhe 1.052.112 gra figurojnë si votues.
Një raport i tillë i votuesve meshkuj ndaj femrave është i pashpjegueshëm. Nëse votuesit meshkuj dhe femra, do të shfaqnin të njëjtin nivel pjesëmarrja në çdo qendër (i njëjti numër votash të hedhura për 100 zgjedhës të regjistruar të secilës gjini), do të kishin votuar gjithsej 913.584 votues meshkuj në mbarë vendin, në vend të 1.006.170 të regjistruarve.
Pra të dhënat e rishikuara të KQZ-së, tregojnë ende një tepricë anormale prej 92.586 votash nga ana e meshkujve. Për më tepër “entuziazmi’ i supozuar elektoral i burrave gjeorgjianë ndryshonte shumë sipas rajonit. Kontributin më të madh e ka dhënë qarku i Marneulit në pjesën juglindore të vendit, në kufi me Azerbajxhanin, ku numri i votuesve të tepërt meshkuj arriti në 9.310.
The Insider vëzhgoi më nga afër shkaqet e mundshme të kësaj dukurie. Nuk është për t’u habitur që ky rajon është i njohur në Gjeorgji dhe më gjerë për shkeljet gjatë proceseve zgjedhore: presion mbi votuesit, rrahje, dhe një rast i konfirmuar i mbushjes së fletëvotimeve , i cili është bërë objekt i procedimeve penale.
Në përvojën e vëzhguesve rusë, një çekuilibër i tillë gjinor është vërejtur në rastet e votimit “m karusel’, që u zbulua duke përdorur pamjet e qendrave të votimit të publikuara nga KQZ në Rusi. Në raste të tilla, çekuilibri mund të arrijë në 70 për qind, si në Shën Petersburg, ose 100 për qind, si në Dagestan.
Por si u organizua në Gjeorgji? Mjerisht, qendrat e votimit atje nuk kishin kamera ÇTV. Ndaj e dhëna erdhi nga rajoni i dytë më “hiperaktiv” i meshkujve në Gjeorgji, Gori, i cili tregoi një tepricë prej rreth 5.000 meshkujsh votues. Më 25 nëntor, kanali televiziv Mtavari Arkhi transmetoi dëshminë e Gocha Chalaurit.
Ai tregoi se si ai dhe bashkëpunëtorët e tij votuan në mënyrë të përsëritur për Ëndrrën Gjeorgjiane në zgjedhjet e 26 tetorit: “Ishim 4 veta në makinën time, që të gjithë burra, duke udhëtuar si pjesë e një grupi prej 5 automjetesh. Udhëtuam nëpër Gori, nga njëri fshat në tjetrin dhe votuam për ëndrrën Gjeorgjiane rreth 30 herë secili. Në total, 120 ose 130 makina si e jona qarkullonin rreth e rrotull rajonit të Gorit”.
Vlerësimet tregojnë se nëse 500 individë votojnë 30 herë secili, do të prodhonin 5000 vota shtesë. Gazetarët investigativë nga televizioni kryesor i Gjeorgjisë, Pirveli, kanë realizuar një dokumentar rreth mënyrës se si blihen dokumentet e identifikimit të votuesve.
Ose më saktë, sesi ato “merren me qira” për shuma prej 100, 150 ose 200 lari gjeorgjiane (afërsisht 35-70 dollarë amerikanë). Alexander Crevaux-Asatian, zyrtar i lartë i partisë opozitare Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, i ka vërtetuar këto raporte. Sipas gazetarëve gjeorgjianë, votuesit që “kanë dhënë me qira” letërnjoftimet ose të dhënat e tyre personale, premtuan se nuk do të paraqiteshin në qendrat e votimit për zgjedhjet e fundit.
Dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe dëshmitë e atyre që morën pjesë në mashtrime, të kapur në kamerat e Pirveli, sugjerojnë se kjo skemë ishte orkestruar nga krerët e administratave lokale dhe anëtarë të partisë Ëndrra Gjeorgjiane. Në dokumentar transmetohen pamje, ku këto pasaporta dhe karta identiteti përfundojnë në duart e operativëve të “karuselit”.
Edhe pse rrallë, ata kapen në kamera nga vëzhguesit e zgjedhjeve në qendrat e votimit. Mjerisht, si në Rusi, skemat e “karuselit” mbeten të padukshme për vëzhguesit në terren në mungesë të regjistrimeve zyrtare në kamera. Është një mrekulli që KQZ-ja në Gjeorgji lejoi një rrjedhje të të dhënave gjinore, e cila bëri të mundur zbulimin dhe vlerësimin e shtrirjes së skemës së manipulimit.
Misioni më i madh i vëzhgimit të zgjedhjeve në vend, Vota Ime, shpjegoi në një deklaratë zyrtare metodat e manipulimit:“ Disa nga votuesit që u paraqitën në qendrën e votimit, kishin një copë letër me numrin personal të një personi tjetër, të vendosur në pasaportë ose të ngjitur në letërnjoftim.
Po ashtu, zgjedhësi mund të votonte edhe nëpërmjet fotokopjes së letërnjoftimit që e mbante në telefon. Votuesit mashtrues kishin regjistrues aleatë në qendrat e votimit, të cilët ose e fusnin me shpejtësi në makinën e verifikimit numrin personal të shkruar në letër, ose nuk e shënonin fare ose e regjistronin gabim.
Siç mundën të zbulonin gazetarët investigativë , këta “regjistrues” u zgjodhën me kujdes nga listat e dërguara nga KQZ-ja. Herë pas here, sistemi i mashtrimit funksiononte keq, dhe një votues zbulonte se dikush kishte votuar tashmë në emrin e tij.
Këto incidente nxitën shpërthimin e skandaleve, disa prej të cilave u përmendën në dokumentarin investigativ. Megjithatë në pjesën më të madhe të rasteve skema funksionoi, dhe po të mos ishin të dhënat anormale gjinore nga KQZ-ja, shkalla e mashtrimit do të kishte mbetur thjesht si një çështje spekulimi dhe dyshimi./Përshtatur nga “The Insider”