Skema Rama-Ahmetaj për monopolin e plehrave, mbyllen 100 biznese riciklimi

Qeveria ka mbyllur 100 biznese riciklimi për llogari të inceneratorëve të Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt, duke marrë nën kontroll biznesin e mbetjeve në Bashkinë e Tiranës. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka denoncuar ashpër dje skemën e fundit kriminale dhe korruptive të Ramës dhe Ahmetajt në lidhje me projektin e ndërtimit të inceneratorëve në vend. Basha tha se, marrja nën kontroll e riciklimit dhe djegies së plehrave është ana tjetër e medaljes së drogës.
“Sot, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë ka denoncuar mbylljen e afro 100 bizneseve, heqjen e licencave nga Edi Rama, nga qeveria në një revansh përmes taksidarëve dhe inspektorëve të qeverisë. Duhet t’u themi shqiptarëve që heqja e këtyre 100 licencave përkon me futjen nën kontrollin total nga Edi Rama dhe Arben Ahmetaj të procesit të mbledhjes, riciklimit, djegies dhe groposjes së mbeturinave në Bashkinë e Tiranës. Para dy muajsh, ai që ka në pronësi inceneratorin e Tiranës, të Fierit dhe të Elbasanit me letra, por që në fakt përfaqëson Arben Ahmetaj, para dy muajsh ka blerë kuotën kontrolluese të kompanisë së riciklimit të Bashkisë së Tiranës.

Ne e kemi ndjekur, tani është e vërtetuar, mund ta kontrolloni edhe në QKR do t’ua japin të dhënat, ka blerë 49% dhe në kontratë është specifikuar ky që ka 49% do të bëjë edhe administrimin e kompanisë së riciklimit të Bashkisë së Tiranës. Është i njëjti që ka në pronësi inceneratorin e Tiranës.
Pra, skema është: përqendrimi i të gjithë aktivitetit, që nga mbledhja, tek riciklimi-pra ndarja, tek djegia, tek groposja është në duart e dyshes Rama-Ahmetaj. Për këtë arsye, janë vërsulur dhe kanë mbyllur pothuajse gjysmën e kompanive në sektorin e riciklimit menjëherë, pasi kanë shtënë në dorë të tre inceneratorët dhe procesin e mbledhjes dhe grumbullimit, riciklimit të plehrave në bashkinë më të madhe që është Bashkia e Tiranës. Çfarë është kjo? Kjo është ana tjetër e medaljes së drogës.
Shqipëria eksporton drogë dhe bëhet gati tani të importojë plehra. Ju kujtohet se, Edi Rama propozoi ligjin për importin e plehrave me pretendimin që nuk kishte mjaftueshëm material për industrinë e riciklimit. Tani çfarë po bën?! E ka futur në dorë riciklimin dhe djegien e plehrave. Ka ndërtuar dhe po ndërton inceneratorë, të cilët kanë kapacitete për të djegur edhe plehrat e Italisë e jo më të Shqipërisë dhe të gjitha këto janë në dorë të Arben Ahmetaj dhe Edi Ramës. Kjo është arsyeja pse iu është hequr licenca 100 kompanive që veprojnë në këtë sektor prej 10, 15 apo 20 vitesh. Çfarë po ndodh? Le t’ua themi shqiptarëve. Po ndodh e njëjta gjë që ka ndodhur me lojërat e fatit, që ka ndodhur me kanabisin, që po ndodh me herionën, me sistemin financiar dhe me sistemin e ndërtimit”, tha Basha.

Nga blerja e bankave tek lojërat e fatit të gjithë sektorët në duart e Ramës

Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është përqendrimi i gjithë sektorëve të ekonomisë, duke përfshirë sektorët kriminalë të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe trafikimit të heroinës dhe kokainës në një palë duar, në duart e bandës kriminale të drejtuar nga Rama. “Lojërat e fatit e mbani mend se si e nisi sulmin Saimir Tahiri me urdhër të Edi Ramës? Çfarë ndodhi pas kësaj, u mbyllën lojërat e fatit?! Jo! U bë një koncesion, të cilën të gjithë e dimë që e ka Edi Rama, në emër të Olsi Ramës. Këto janë fakte. Çfarë u bë me drogën? U sulmua Lazarati me pretendimin se do të shkatërrohej rrjeti kriminal që kultivonte drogën në Lazarat. Nuk u shkatërrua asnjë organizatë kriminale, nuk u kap asnjë bandë, nuk u kap asnjë bos, por pas kësaj droga u kultivua në të gjithë Shqipërinë nën kontrollin e Saimir Tahirit, që po hetohet pas denoncimeve të Antimafies dhe të kupolës së policisë që është në arrati. Sigurisht nën kontrollin e Edi Ramës. E njëjta gjë po ndodh me kokainën, mbretërit e kokainës së Xibrakës, janë edhe mbretërit e kokainës së Maminasit dhe laboratorëve të tjerë në Shqipëri dhe kontrollohen drejtpërdrejtë nga klani kriminal i Edi Ramës. E njëjta gjë po ndodh tani me përqendirmin, apo blerjen e bankave nga një bankë, ku shërben në bord bashkëshortja e kryeminstrit. E njëjta gjë po ndodh me ndërtimin, nisi me rilindjen urbane, ku i gjithë sektori i ndërtimit u fut nën kontroll dhe po vazhdon me PPP-në 1 mld, që nuk është gjë tjetër veçse skema e pastrimit të parave të pista”, tha Basha.

Ekonomia është kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të drogës

Përqendrimi i të gjithë sektorëve të ekonomisë në duart e Ramës është dëshmi e shndërrimit të Shqipërisë në një mekanizëm të pastër të pastrimit të parave të drogës dhe aktiviteteve kriminale. “Kjo është ajo që po ndodh. Krimi po kap ekonominë, siç ka kapur politikën, siç ka kapur qeverinë po kap ekonominë. Vendi as nuk eksporton më, as nuk prodhon më, nuk ka investime të huaja, nuk ka as investime të brendshme. Sepse aty ku futet paraja e drogës dhe e krimit, aty ku nuk ka konkurencë, por gjithçka është në duart e një klani kriminal, nuk ka vend për rritje ekonomike. Kjo është arsyeja pse vendi është në krizë ekonomike. Kjo është arsyeja, pse shikoni statistikat që tregojnë mbylljen e bizneseve nga muaji në muaj, duke shkuar në rritje dhe që shumica e shqiptarëve kredhen në varfëri, iu hiqet edhe ndihma ekonomike. Shumë shqiptarë nuk gjejnë alternativë tjetër përveçse të largohen nga vendi. Zgjidhja e këtij problemi kërkon një transformim të thellë politik dhe ekonomik. Kërkon në radhë të parë çlirimin e politikës nga krimi, nga korrupsioni, çlirimin e ekonomisë nga kthetrat e krimit dhe drogës dhe kthimin e ekonomisë në një ekonomi konkuruese me mundësi dhe hapësirë, ku çdokush të konkurojë sipas ideve, inovacionit, aktivitetit të biznesit, dhe jo sipas mundësisë për të patur akses tek paratë e drogës, akses tek banda në qeveri dhe akses tek privilegjet e pushtetit. Edhe një herë dua të theksoj se ne si opozitë, duke kuptuar plotësisht pretendimet e ngritura sot nga “Shoqata e ricikluesve”, e konsiderojmë aferën e inceneratorëve, anën tjetër të medaljes së aferës së drogës së Shqipërisë, si Kolumbi e Europës, pjesë e së njëjtës medalje, pjesë e të njëjtit projekt të Edi Ramës, i cili duhet të çmontohet deri në fund, për të hapur rrugë për një Shqipëri europiane. Nuk mund dhe nuk do të ketë ekonomi të lirë dhe politikë të ndershme, sa kohë në krye të vendit është njeriu që futi drogën në sistem, futi kriminelët në politikë dhe kapi dhe ktheu ekonominë shqiptare në një lavatriçe të pastrimit të parave të drogës”.

Exit mobile version