Kambisti ka deklaruar në polici se grabitësi ka qenë i armatosur dhe nën kërcënimin e armës, ai është detyruar t’i dorëzojë lekët, ndërsa policia tha se dy grabitësit nuk kanë qenë të armatosur. Pamjet e filmuara tregojnë 2 persona që pasi e dhunojnë arkëtarin Sajmir Hasani dhe shoqëruesin e tij, largohen me shpejtësi në këmbë njëri pas tjetrit dhe marrin motorin tip “Scooter” që e kishin lënë pak më larg. Kamera ka fiksuar vetëm dinamikën e grabitjes, por nga pamjet, është i pamundur identifikimi i 2 autorëve, të cilët janë larg dhe fytyrat e tyre nuk janë filmuar. Duket vetëm se janë veshur me xhinse blu dhe me xhupa të zinj.
Mediat online publikuan filmimet e realizuara nga kamerat në parkingun përballë hotelit “Sheraton”, ku të martën ndodhi grabitja e një shume të madhe parash të një pike këmbimi valutor. Burime pranë Komisariatit Nr. 1 thonë se i dëmtuari Sajmir Hasani ka deklaruar në polici se, grabitësi ka qenë i armatosur dhe nën kërcënimin e armës, ai është detyruar t’i dorëzojë lekët. Të njëjtën gjë pohojnë edhe dëshmitarët në ngjarje. Por disa orë më pas, policia bëri me dije se nga hetimet paraprake dhe këqyrja e kamerave të bizneseve afër vendit të ngjarjes, autorë të grabitjes kanë qenë 2 persona pa maska dhe pa armë.
Sipas policisë, 2 personat ende të paidentifikuar iu kanë rrëmbyer çantën me një shumë të konsiderueshme monetare punonjësve të pikës së këmbimit valutor S. H dhe B. Xh, duke qëlluar me shkelma këtë të fundit.
Hetimet e policisë janë orientuar te mundësia e njohjes mes autorit të grabitjes, punëtorëve të këmbimit valutor si edhe punonjësve të bankës. Kjo, pasi sipas policisë, grabitësit kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të arkëtarit.
Nga hetimet e policisë, mësohet se transaksioni bankar i cili u realizua të martën kur ndodhi grabitja, ishte parashikuar të kryej të hënën po në këtë orë dhe pikërisht atëherë, këta 2 persona kanë lëvizur me motor përballë hotel “Sheratonit”. Nga lëvizjet dhe gjithë skena se si ka ndodhur ngjarja, lë të kuptohet se grabitësit kishin dijeni të plotë për itinerarin e kambistit dhe personit që e shoqëronte. Grupi hetimor po vazhdon punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve të kësaj vepre penale.