S’kemi fituar asgjë

Reali i Madridit është gati për 3 finalet e sezonit. Këtë të mërkurë, Los Blancos sfidojnë në stadiumin “Balaidos” Celta Vigon për sfidën e prapambetur që kanë në La Liga me shpresën për të hedhur një tjetër hap të sigurtë drejt titullit. Në kampionat, Realit do t’i mjaftonin 4 pikë në dy transfertat e fundit ndaj Celtës dhe Malagas për të fituar titullin kampion që i mungon prej 5 vitesh dhe për t’u përqendruar më pas te finalja e Champions-it ndaj Juventusit. Në Vigo gjithsesi, Reali i Madridit shkon vetëm për 3 pikë, diçka e tillë kuptohet qartë në deklaratat e trajnerit Zinedine Zidane.
“Na mbeten dhe 3 finale. Është shumë e thjeshtë ne jemi të përgatitur për gjithçka. Në La Liga kemi edhe dy ndeshje. Fizikisht jemi mirë dhe duam të fitojmë ndaj Celtës. Nuk pres tolerime. Jam i sigurtë se në Vigo, Celta do të luajë futboll, ata janë profesionistë dhe do të bëjnë maksimumin në fushë”, u shpreh Zidane.
Për mundësitë që ka Reali për të triumfuar në La Liga dhe Champions League, trajneri francez nuk u zhbalancua më shumë duhet, ndërsa shkëputi një mendim edhe për të ardhmen e James Rodriguez që duket se do të jetë larg Madridit.
“Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Nuk ndihemi ende kampionë të Spanjës, pasi duhet të luftojmë deri në javën e fundit. Nuk kemi fituar akoma asgjë dhe nuk mund të relaksohemi kurrësesi. Duhet t’i bëjmë gjërat mirë në 3 ndeshjet e mbetura, pasi vetëm kështu mund të fitojmë 2 trofe. E ardhmja e James Rodriguez? Ai është këtu me ne, nuk është stërvitur, sepse ka marrë një goditje të fortë, por rëndësi ka që është pjesë e skuadrës”, përfundoi trajneri i Real Madridit.

Artikulli paraprakKonte është idhulli i ri i tifozëve të Chelsit
Artikulli tjetërKardifi është qytet shumë i shtrenjtë, tifozët e Realit nuk blejnë biletat e finales