Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, në një konferencë për media, është shprehur se skenat që pamë sot kanë dashur t’i shmangë. Alibeaj tha se Kuvendi dhe Komisionet nuk janë për të treguar muskujt, por për të ngritur zërin për qytetarët.
Sa i takon Zgjedhores, ai tha se si pala e Rithemelimit ashtu dhe mazhoranca nuk e duan këtë reformë
“E nis me një kërkim ndjese për incidentin që ndodhi. Janë skena që ne kemi dashur t’i shmangim, kemi qenë me qëndrimin që Parlamenti dhe Komisionit mos të shndërrohen në salla ku maten muskujt.
Ndjesë dua t’i drejtoj dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, të cilët erdhën për të marrë pjesë.
Ajo që ndodhi sot nuk është gjë tjetër veçse teatri i radhës të atyre që nuk e duan reformën zgjedhore. Parlamenti duhet të jetë vendi ku flitet dhe ngrihen interesat e qytetarëve. Pala e mazhorancës e ka pritur të shndërrohet në atë mënyrë, atë teatër të shëmtuar parlamenti, me qëllimin e qartë dhe të saktë, mos e bëjë reformën zgjedhore, siç u shpreh dhe bashkëkryetari, që është komod me këtë kod zgjedhor”, tha Alibeaj.