Skena të pabesueshme janë parë në finalen e “Carabao Cup” që u zhvillua mes Chelseat dhe Manchester Cityt në “Wembley”.
Portieri i londinezëve, Kepa Arrizabalaga, ka refuzuar të dalë nga fusha e lojës pasi trajneri Maurizio Sarri donte ta zëvendësonte me portierin e dytë, Willi Caballero.
Numri një ka kërkuar zëvendësimin pas një dëmtimi dhe më pas ka ndryshuar mendje, duke shkaktuar zemërimin e trajnerit italian, i cili ka shpërthyer buzë fushës kundër portierit.
Por, nuk ishte vetëm për këtë – Sarri tentonte vazhdimisht dhe i kërkonte Kepas që ta largonte nga loja për ta futur Caballeron, i cili historikisht njihet si një portier i mirë në pritjen e penalltive, por spanjolli nuk e dëgjoi, s’donte të largohej nga fusha.
Pas kësaj, Sarri shpërtheu si drejt stolit, madje u nis për t’u larguar edhe nga stadiumi krejtësisht, por ndërroi mendje, por jo edhe Kepa që pavarësisht gjithçka që po ndodhte jashtë fushës, nuk ndërroi mendje.
Nga penalltitë, Kepa nuk është se u tregua i dobët, pasi priti një, por ishte City që triumfoi në fund dhe tani kanë shpërthyer mediat kundër portierit që bëri namin duke mos iu bindur urdhrave të trajnerit.
Kepa, që u ble nga Bilbao për më shumë se 80 milionë euro gjatë verës, dhe u bë portieri më i shtrenjtë në histori, është vërshuar nga kritikat nga të katërta anët, të gjithë kërkojnë dënimin e 21-vjecarit.