Skenar tmerri

Seda SERDAR

I gjithë populli turk qëndroi zgjuar gjatë natës për të parë se çfarë po ndodhte. Të shtunën qeveria turke deklaroi se grushti ushtarak i shtetit dështoi. Por e ardhmja politike është e paqartë. Ky grusht shteti nuk ishte një nga ata ta zakonshmit, siç ka përjetuar Turqia në të shkuarën. Këtë herë vetëm një fraksion brenda ushtrisë është përpjekur të rrëzojë qeverinë. Ende nuk dihet me siguri, kush fshihet pas tij. Por qeveria tregoi me gisht menjëherë tek Fetullah Gyleni, drejtuesi i lëvizjes Gylen, armiku dhe rivali i presidentit Erdogan, i cili jeton nga viti 1999 në SHBA. Lëvizja është shpallur organizatë terroriste.
Në të shkuarën, Turqia ka përjetuar disa puçe ushtarake. Në vitet ‘80-të e mori ushtria pushtetin, pas sulmeve të përgjakshme mes aktivistëve të majtë dhe të djathtë. Por të gjithë këta grushta shteti bazoheshin tek iniciativa e përbashkët e forcave të sigurisë. Këtë herë duket se është përfshirë vetëm një grup i vogël i ushtrisë.
Brenda natës rajon lufte
Deri më tani janë arrestuar mijëra ushtarë. Gjatë natës u zhvilluan luftime mes pjesëtarëve të ushtrisë dhe forcave të policisë turke. Por kush fshihet pas tyre? Ende shumë pyetje nuk kanë marrë përgjigje. Sërish tregohet se në Turqi ka grupe që veprojnë kundër demokracisë dhe stabilitetit. Është e frikshme, kur shikon se si një vend brenda natës shndërrohet në një rajon lufte, me bomba që bien në ndërtesën e Parlamentit, apo avionë luftarakë, që fluturojnë në qiellin e Ankarasë.
Bota nuk duhet të shikojë, se si një Turqi e pastabilizuar, që lufton kundër terrorizmit dhe të ashtuquajturit “Shteti Islamik” fundoset në kaos. Turqia ka tani më shumë se kurrë nevojë për stabilitet. Grushti ushtarak i shtetit tregon se sa e brishtë është gjendja në vend.
Në vitet e fundit, Turqia ka qenë objektiv i rregullt i sulmeve terroriste, të cilat kërcënojnë ta fusin vendin në një luftë qytetare, që do ishte një tjetër nivel i kërcënimit, e që Turqia duhet ta marrë shumë seriozisht. Sipas gjasave në gusht, Gjykata e Lartë Ushtarake e Turqisë do të vendosë për përjashtimin ose jo të lëvizjes Gylen nga forcat e armatosura. Ende është herët të thuhet, nëse kjo përpjekje për grusht shteti ka të bëjë me vendimin që merret në gusht.
Në këtë skenar tmerri një gjë është e sigurt: Hapat e ardhshëm kanë rëndësi të jashtëzakonshme për Turqinë. Do të përdoret tentativa e puçit ushtarak për manovra politike? Deri më tani partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka dalë më e fortë nga çdo sulm terrorist. Por këtë herë bashkësia ndërkombëtare i ka sytë drejt Turqisë dhe të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive e mbështesin Erdoganin për të forcuar shtetin ligjor. Kur të kalojë kjo ëndërr e keqe, në rend të ditës duhet të qëndrojë forcimi i demokracisë në Turqi.

Artikulli paraprakErdogan mund të ketë pasur të drejtë
Artikulli tjetërDrejtuesi i Grushtit të Shtetit është vrarë