Skenari i Bayernit

Bayern Munich mund ta zgjasë datën e skadimit të marrëveshjes me Jupp Heynckes. Zgjidhja emergjente mund të përfundojë në momentin kur disponueshmëria e trajnerit të dëshiruar për klubin bavarez të jetë e plotë. Sipas raporteve të “Bild”, Bayern Munich po mendon të ofrojë një vit tjetër kontratë për Heynckes, që të vazhdojë drejtimin e bavarezëve derisa të emërojë trajnerin e ri, Joachim Löw, në verën e vitit 2019. Një mundësi të tillë e la hapur presidenti Hoeness, të premten e kaluar. “Unë mendoj se është e mundur që Heynckes të vazhdojë përtej verës, nuk përjashtohet si mundësi”. “Bild” e ka dekoduar këtë mesazh në terma që tregojnë se në horizont është Joachim Löw.
Trajneri aktual i Gjermanisë e përfundon kontratën me DFB në vitin 2020, por mund të largohet nga “Mannschaft” pas Kupës Botërore në Rusi. Sidoqoftë, marrja e menjëhershme e stolit në “Allianz Arena” verën e ardhshme duket e komplikuar. Kupa e Botës përfundon më 15 korrik, datë në të cilën Bayern Munich duhet të ketë të paktën dy ose tri javë nisje të përgatitjeve sezonale. Nga ana tjetër, gazeta popullore gjermane, sheh shumë të ngjarë që Löw të dëshirojë të marrë një vit pushim absolut, pas dymbëdhjetë vitesh në krye të ekipit kombëtar gjerman. Ky është skenari që Bayern Munich do të konsideronte për ta bindur Heynckes që ta vononte pensionimin e tij edhe për një vit.
Largimi i italianit Carlo Ançeloti nga Bayern Munchen ka lënë një shije të hidhur dhe shkarkimi i tij vijon të komentohet ende në Gjermani edhe pas më shumë se një muaj. Presidenti Uli Hoeness ka zbuluar se arsyeja kryesore e shkarkimit ka qenë stafi i tij.
“Me Ançelotin nuk kishim asnjë problem, me të çdo gjë shkonte mirë – tha Hoeness për “Bild” – Por çdo ditë kishte një zënkë që vinte nga stafi i tij, një herë fizioterapisti, një herë tjetër mjekët dhe bashkëpunëtorët. Me një staf të tillë nuk mund të punohet. Më shumë flitej se kush prej stafit do të ulej në pankinë, se sa për anën taktike të ndeshjes apo për të mirën e skuadrës”, u shpreh presidenti i Bayern Munchen.
Ndërkohë, Mario Gotze ka pësuar një dëmtim të rëndë gjatë derbit që përfundoi 4-4 ndaj Schalke 04. Gjermani ka këputur një ligament në kavilje. Pushimi i parashikuar do të jetë gjashtë javë. Këtë e ka zbuluar vetë klubi nëpërmjet faqes zyrtare në Twitter. Kjo do të thotë se kampioni i botës me Gjermaninë do të humbasë të gjitha ndeshjet e mbetura të fazës së parë. Dhe pritet të rikthehet me skuadrën dhe të jetë gati pas pushimit të dimrit në shkurt.
Një lajm i keq ky për tifozët dhe klubin e BVB. Momentalisht Dortmund është duke kaluar një periudhë krize dhe për ta kaluar këtë moment të vështirë do të duhej ndihma e të gjithëve, sidomos e lojtarëve me eksperiencë. Me Aubameyang që thuhet t’i ketë ditët e numëruara, dhe dëmtimin e Gotze, ndeshjet e radhës deri në përfundim të fazës së parë do të jenë një test i vërtetë për verdhezinjtë.

Artikulli paraprakAlaves shkarkon De Biasin për rezultate të dobëta
Artikulli tjetërGazeta “As”: “Skandal, vjedhje, turp”!