134 ditë pas sfidës së titullit, përballja Kukësi-Skënderbeu krijon sërish polemika në një 90 minutësh të mbushur me tension që u mbyll me një fitore të rëndësishme të Skënderbeut 2-1 që thyen fortesën “Zeqir Ymeri”, ku skuadra vendase nuk pësonte humbje në kampionat që prej prillit të vitit 2016. Milinkoviç preferoi Hoxhën në vend të të dëmtuarit Shameti, ndërsa Daja hodhi në fushë një formacion të ndikuar nga mungesat e Osmanit, Nimagës dhe Gavazajt. Dy shkëndijat e para i dhanë Bakaj dhe Muzaka pak sekonda më vonë, ndërsa Soue tronditi rrjetën e verilindorëve, por nga pjesa e jashtme, duke dhënë sinjalin e parë të rëndësishëm në këtë ndeshje, ndërsa Musolli mund të kishte bërë më mirë në goditjen me kokë. Skënderbeu i vendosur mirë në fushë tregoi pjekuri në pasime dhe aksionet e ndërtuara, por edhe bindjen se mund ta zhbllokonte këtë sfidë që në pjesën e parë, ndërsa Kukësi forcoi radhët në gjysmëfushë edhe pse ishte sërish sulmuesi nga Gambia, falë forcës fizike kaloi dy mbrojtës, por finalizimi i tij la për të dëshiruar. Hoxha bëri mrekullinë pas një topi të ardhur nga e djathta e sulmit, duke i mohuar Soëe kënaqësinë e golit që gjithsesi ishte në ajër, sepse Dita i asistuar me kokë nga Taku, nuk e pati të vështirë për ta çuar topin në cepin më të largët të Koliçit.
Gol që ndezi ndeshjen, por shtoi edhe dëshirën e korçarëve për të shënuar të dytin. Në minutën e 33-të, Taku u ndal nga shtylla, por Xhejms bëri më të pabesueshmen, duke e nxjerrë topin jashtë. Asnjë moment pushim për të dyja skuadrat, sepse Kukësi nuk u pajtua me këtë situatë. 3 minuta më vonë, Aliyev në një kontakt me Jashanicën u rrëzua në zonën e rreptësisë dhe për kryesorin Meta nuk kishte asnjë dyshim, 11 metërsh. Një vendim që ngjalli reagimin e ashpër të stafit të Skënderbeut me trajnerin Daja që kontestoi gjatë, por nga pika e bardhë Bakaj e ndali topin në rrjetë. Kale përfitoi duke rrëmbyer një top që u ndal nga Orges Shehi. Një aksion që krijoi sërish polemika, pasi u pretendua që fillimisht topi u ndal nga Alyiev, i cili ishte në pozicion jashtë loje dhe e gjithë furia e trajnerit Daja shkoi për anësorin Rexha, i njëjti anësor edhe në sfidën e fundsezonit të kaluar. Dominim i Skënderbeut, por edhe nervozizëm në fundin e kësaj pjese, ku Daja kërcënoi madje gjyqtarin e katërt se nëse ndeshja do të vazhdonte me gjykim tendencioz, atëherë ai nuk do ta nxirrte skuadrën në fushën e lojës gjatë pjesës së dytë. Shumë grintë dhe dëshirë për të fituar shfaqi Skënderbeu në pjesën e dytë që e ktheu zemërimin në forcë. Deri në minutën e 70 ishin korçarët që bënë ligjin, duke krijuar edhe tre raste të rrezikshme me Xhejms, Jashanicën dhe Takun, ndërsa Kukësi replikoi vetëm me një goditje dënimi dhe vetëm kaq. 7 minuta nga fundi, Muzaka që po përgatitej të linte fushën u shkëput në mënyrë të zgjuar dhe u pengua në zonë nga Hoxha. Këtë herë 11-metërshi shkoi në favor të korçarëve dhe Lilaj u shfaq i ftohtë përpara Koliçit.