Skënderbeu heroik

Skërderbeu është i destinuar për të shkruajtur historinë e futbollit shqiptar teksa për të dytën herë vendos emrin në fazën e grupeve të Europa League në harkun e 3 sezoneve. Kësaj radhe kjo arritje vjen falë kalimit të 4 tureve në fushë, jo si dy sezone më parë ku përfitoi nga skema e re e Champions League pas eliminimit në Play Off. Fati e deshi që përballë të ishte Dinamo e Zagrebit, ashtu si dy vite më parë në fazën Play Off të championsit. Por kësaj radhe eksperienca nuk ishte më një armë në favor të kroatëve, të cilët në harkun e 180 minutave u eklipsuan nga Skënderbeu që meritoi në fushë këtë rezultat historik.
Presidenti Takaj i kënaqur për kualifikimin. “Arritjet janë të mëdha. Një klub i fortë matet nga financat, të lejon të afrosh lojtarë cilësorë. Nuk është rastësi që jemi këtu. E dinim që kishim një rival të lehtë që në raundin e parë, por nuk kemi nënvlerësuar asnjë nga kundërshtarët. Nuk dua të merrem me të shkuarën. Falenderoj të gjithë ata që na mbështetën sot. Ishin të mrekullueshëm. Arritjet vijnë kur ke një mbështetje kaq të madhe. Të kalosh Dinamon është arritje e madhe. Nuk i trëmbemi askujt. Nuk duhet të punojmë vetëm për klubin, por edhe për lojtarët. Kënaqemi për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e jona. Frika më e madhe ishte nga fundi, pasi ishim me 10 lojtarë”, u shpreh Takaj.
Orges Shehi pas kualifikimit në fazën e grupeve në Europa League deklaroi se: “Eshtë kënaqësi e madhe kemi luajtur dhe para dy vjetësh në Europa League, por duke eliminuar skuadra kaq të forta na dha një emocion të jashtëzakonshëm. Sa më përket mua kam thënë që do e lë pas Europës dhe do e mbaj fjalën”.
Latifi i emocionuar për kualifikimin dhe i trishtuar për largimin nga skuadra pohoi se: “Normalisht që çdo ndarje ka emocionet e veta. Jam munduar të jap më të mirën. Jam i mërzitur që po largohem po kështu e ka futbolli. Primare për ne ka qenë kualifikimi. Një kualifikim i tillë ka përfitime ekonomike për të dyja palët. Unë e kam Digitalbin dhe do ta ndjek gjithmonë Skënderbeun. Kam kaluar momente të bukura me këtë skuadër”.
Vangjeli pas kualifikimit u shpreh i emocionuar për këtë arritje, duke deklaruar se: “Emocione të mëdha, sukses i merituar. Shpresojmë që ta shijojmë sa më shumë dhe sa më gjatë kualifikimin për në grupet e Europa League. Presidenti më bindi të qëndorja, personalisht se kisha menduar që do të qëndroja kaq gjatë. E dinim që Dinamo është një ekip i fortë, por ne nuk i trembeshim këtij fakti”.
Osmani i emocionuar për kualifikimin deklaroi se: “Para ndeshjes me Vlorën birra për të gjithë. E kemi përshëndetur Latifin ashtu siç di vetëm Skënderbeu. Shehi dhe unë do ta lëmë të dy në një kohë. Orgesi nuk do të heqi dorë. Ky është momenti më i vështirë i jetës time, pas humbjes së vëllait tim, ketë sukses ia dedikoj nënës dhe vëllait”.

Exit mobile version