Skënderbeu kampion!

Skënderbeu vendos vulën e kampionit. Korçarët ngjiten për të gjashtin sezon rresht në majën e futbollit shqiptar, duke fituar titullin e shtatë në historinë e tyre. Në 90 minutëshin e fundit sezonal në Vlorë, kampionët fituan me rezultatin 2-0 për të mos i dhënë asnjë shans Partizanit që humbi 1-2 ndaj Teutës dhe nuk arriti të rikthente në shtëpinë e kuqe trofeun që mungon që prej 23 vjetësh.
Epitetet ndoshta kanë mbaruar për një skuadër që me hijen e rëndë të fituar nga eksperienca ndër vite, zgjoi nga gjumi i ëmbël të kuqtë që patën fatin e keq të luanin futbollin më të mirë të viteve të fundit në një sezon ku hapat falsë të Skënderbeut ishin vërtet pak.
Kampionët arritën të kthejnë në forcë atë disfatë të hidhur në Korçë kundër të kuqve, duke dominuar Flamurtarin falë eksperiencës, talentit dhe dëshirës së madhe për t’u konfirmuar në krye të Kategorisë Superiore në fund të një sezoni që do ta mbajnë mend gjatë, jo vetëm në Korçë, por anemabanë globit ku ka shqiptarë, pasi Kampionati i 70 i elitës së futbollit shqiptar dhuroi emocione deri në sekondat e fundit.
Një titull që ndryshe nga sezonet e shkuara u var në fije të perit deri në frymën e fundit të lojës. Aksi Vlorë-Tiranë tërhoqi gjithë vëmendjen më të madhe në javën e fundit ku ishin varur fatet e titullit që Skënderbeu e vendosi në kasafortë me një provë force dhe karakteri. Mirel Josa nuk u tradhëtua nga formacioni i tij, ku klasi i Latifit dhe eksperienca e Plakut bënë diferencën në një fushë të vështirë, ndërsa qindra kilometra më larg në “Qemal Stafa”, tifozët e Partizanit me veshët nga Vlora dorëzuan ëndrrën titull, por mbështetën fuqimisht skuadrën e tyre deri në vërshëllimën e fundit. Mbështetësit e kuq janë trofeu i vërtetë për Partizanin, ndërsa Skënderbeu shuan çdo zë skeptik për forcën e kësaj skuadre me një tjetër titull eklipson çdo kundërshtar në orbitën e futbollit shqiptar. Edhe pse pa njeriun simbol të këtij sezoni, Hamdi Salihi, trajneri Josa hodhi në fushë Sebino Plakun që bashkë me Xhejms dhe Latifin morën për dore skuadrën korçare në një moment shumë delikat. Takimi nisi menjëherë me një gol të Latifit që në minutën e 8 ku sulmuesi i kampionëve stopoi një top të lartë të dhuruar nga Jashanica. Pjesa tjetër është thjesht magji.
Në të njëjtën kohë në “Qemal Stafa”, goli i korçarëve dëshpëroi një popull të tërë që vazhdoi të mbështeste skuadrën kryeqytetase. Në të 14-ën, Plaku goditi shtyllën në Vlorë, duke drithëruar shpresat e të kuqve që në “Qemal Stafa” arritën ta japin sinjalin e parë në minutën e 22 me shtyllën e Ibrahimit. Ishte Sukaj që 10 minuta nga fundi i kësaj pjese hoqi një peshë të madhe nga supet e skuadrës, duke e vënë ndeshjen në rrugën e duhur me një gol që dhuroi shpresë.
Skënderbeu u rikthye në fushë më i karikuar dhe cinik, duke shënuar golin e qetësisë në minutën e 51. Xhejms fantastik me një triblim dhuroi për Plakun topin e rrjetës së sigurisë.
Skenari i një kampionati që ndoshta u shkrua pikërisht në këtë moment, Skënderbeu i luajti minutat deri në fund me sigurinë e kampionit të sezonit 2015-2016, ndërsa Flamurtari edhe pse i limituar në fushë për shkak të dëmtimeve, mbajti lart deri në fund nderin, duke luftuar në çdo centimetër të fushës. Në Tiranë, Partizani pa fuqinë e duhur në këmbë dhe i goditur moralisht nga ajo çfarë po ndodhte në Vlorë, pësoi golin e barazimit në minutën e 73 nga Eri Lamçja, ndërsa në sekondat e fundit u detyrua të ngrinte flamurin e bardhë. Tashmë të gjithë e dinin fundin e skenarit. Një kampionat thriller deri në javën e fundit, fantastik për rivalitetin mes dy ekipeve fantastike, por me një fitues, Skënderbeun që për një tjetër sezon do të reklamojë futbollin shqiptar në vitrinën e futbollit europian.

Artikulli paraprakMateo Kovaçiç, gati të kthehet në Milano
Artikulli tjetërRusia kërcënon me tërheqje nëse Kosova merr pjesë në kualifikime