Paraqitja e mirë e Skënderbeut në Olimpiski të Kievit konfirmoi që arritja në fazën e grupeve të Europa League nuk është një rastësi. Sigurisht që merita më e madhe për ndërtimin e kësaj skuadre është e presidentit Ardjan Takaj, por në fushë ai që dirigjon është trajneri Ilir Daja. Për 51-vjeçarin ky është një triumf edhe në aspektin personal, pasi në nëntorin e vitit të shkuar e larguan nga Tirana si një trajner që nuk mund të udhëhiqte projektin e filluar. Megjithatë me një stil kampioni Daja pranoi vendimin dhe priti momentin e duhur për të dhënë përgjigjen, jo në media, por në fushë. Nga janari i këtij viti mori drejtimin e Skënderbeut pas largimit të Andrea Agostinelit, duke rikthyer korçarët në garën për titull.
Serioziteti i punës u ruajt në Europa League, ku Skënderbeu shkruajti historinë duke kaluar 4 ture për të synuar tashmë një tjetër arritje. Ilir Daja deklaron që objektiv është kalimi i grupit, çka shihet si një mision i arritshëm pas paraqitjeve të mira. Në Kiev ai që shkëlqeu ishte edhe Gjergji Muzaka, që si një farmacist i mirë ka gjetur ilaçin e rinisë së përhershme. 33-vjeçari ka ndezur motorin për t’i dhënë një tjetër ritëm karrierës së tij që nuk dihet se kur do të përfundojë. Me golin e realizuar i tregoi Tiranës se me të në fushë bardheblutë mund të kishin një tjetër fund sezonin e kaluar. Daja dhe Muzaka po shijojnë momentin, që shijon edhe më shumë kur vjen nga një periudhë e keqe e kaluar më parë në kryeqytet.