Skënderbeu nuk heq dorë: 150 mijë euro për Dokën

Orë të nxehta për Albi Dokën. Skënderbeu nuk heq dorë nga mbrojtësi i djathtë i kombëtares Shpresa dhe është gati të paguajë 150 mijë euro për kartonin e lojtarit. Korçarët synojnë të shfrytëzojnë orët e fundit të afatit të transferimeve për transferimet brenda vendit, që përfundojnë më datë 6 shtator.
Nëse Tirana do të bindej dhe do të pranojë ofertën, pagesa do të ndahet në dy këste nga 75 mijë euro. Pjesa e parë e shifrës do të paguhet menjëherë, ndërsa gjysma e mbetur në janar të vitit 2018.
Në rast të transferimit në Korçë, Doka nuk do të regjistrohej për ndeshjet e fazës së grupeve në Europa League. Kjo zgjidhje shpjegohet nga fakti që lojtari është aktivizuar një herë me bardheblutë në arenën ndërkombëtare dhe do të ishte e pamundur të shitej në merkaton e dimrit në rast të një oferte të kënaqshme. Për të kompensuar këtë vendim, bardhekuqtë do t’i garantonin futbollistit aktivizimin në të paktën 15 ndeshje, gjatë gjysmës së parë të sezonit.
Albi Doka cilësohet si një investim i rëndësishëm për Skënderbeun, që gjatë dy viteve të fundit është konfirmuar si klubi më i suksesshëm shqiptar përsa i përket transferimit të futbollistëve, pas milionave të fituara nga Olainka, Berisha dhe Latifi.

Artikulli paraprakStadiumi i Kamzës gati, Lushnja në tetor
Artikulli tjetërIniesta trondit Barçën