Shorti bujar i ndikuar nga klasifikimi i Skënderbeut në zonat e larta të renditjes së UEFA-s, e vë përballë një kundërshtari modest skuadrën korçare në raundin e parë të Europa League. Nënkampionët e Andorrës, Sant Julià do të zbresin të enjten në mbrëmje në tapetin e gjelbërt të stadiumit “Skënderbeu” për të sfiduar skuadrën e Ilir Dajës në aktin e parë të kësaj përballjeje që në letër favorizon dukshëm skuadrën shqiptare. Rreth 1 vit e gjysmë pas disfatës 0-3 që është edhe ndeshja e fundit në Europa League, skuadra korçare rikthehet në evenimentin prestigjioz me ambicje të reja.
Pas sezonit të shkuar, ku u pezullua me një vit nga UEFA për çështjen e trukimit të ndeshjeve, Skënderbeu rikthehet të shijojë aromën eurpiane ku ka arritur deri në fazën e grupeve të Europa League. Bardhekuqtë gjithsesi pas një viti e gjysmë distancë vijnë pothuajse të transformuar, duke nisur që nga stoli dhe për të vazhduar me skuadrën që ka ndryshuar ndjeshëm, sidomos gjatë merkatos së kësaj vere. Salihi është larguar tashmë, ndërsa Latifi mbetet në kërkim të një klubi europian. Me skuadrën janë bashkuar dy emrat më të bujshëm të verës, Afrim Taku, por edhe mesfushori Donjet Shkodra.
Dy emra me peshë në futbollin shqiptar, që gjatë sezonit të fundit kanë jo pak gjurmë. Pikëpyetjet më të mëdha për këtë sfidë lidhen me majën e sulmit, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon shumë nga ajo që ka zbritur në fushë gjatë pjesës më të madhe të sezonit të shkuar. Takimi i kthimit do të luhet në datën 6 korrik, ndërsa në rast kualifikimi, Skënderbeu do të gjejë në fazën e dytë njërën prej çiftit Kairat Almaty-Atlantas. Ndeshja e parë mes Skënderbeut dhe Sant Julià do të transmetohet ekskluzivisht në paketën Supersport, duke filluar që prej orës 20:00.