Skica/ Vdekja e qytetit

Nga Namir Lapardhaja

“Qyteti ka vdekur intelektualisht…” më jehon një zë që paralajmëron kumt.

Lajmëtari është një burrë i kaluar në moshë.

Qëndron pas kur shoh titujt e gazetave, varur në xhamin anësor të një kioske.

Është i pashëm. Si çdo i gjatë moshëthyer, i kërrusur.

Flokët e thinjur mbartin vite jetë.

Sytë e ullinjtë rrëzëllejnë.

Duhet t’i ketë kaluar të shtatëdhjetepestat.

Lajmësi nuk gjykohet.

Qyteti, që dikur buzë lumit të tij zhvilloheshin konkurse poezie, jeton në agoni.

Mpakja është graduale, por tërësore; bjerrja fatale, e pakthim.

Në fillim prej tij largohen njerëzit e mëdhenj.

Qyteti u rrinte ngushtë.

Pas tyre shtegtojnë burokratët e sektorit të ekonomisë.

Nuhatja u thoshte se nuk mund të rriten në qytete të vegjël.

Viti i mbrapshtë ’97 ishte katastrofik.

Largimet masive të familjeve qytetare ndodhën me atë rast.

Eksodi që përjetoi qyteti ato ditë, është i ngjashëm me goditjen që merr boksieri në ring përpara nokautit përfundimtar.

Ai e ka të pamundur të ngrihet.

Qyteti ka pësuar humbje të rëndë.

Është rrëzuar keqas.

Hemorragjia vijon konstante.

Njerëz që ikin përvit.

Të rinj që largohen e s’kthehen.

“Në qytetet e vogla, të vegjëlit duan të duken të mëdhenj, ndërsa të mëdhenjtë të ikin në vende të vogla…” vargëzon mes realitetit dhe letraritetit një ndër vjershëtarët e pakët të mbetur rrugëve të tij.

Ndërsa të gjithë ikin, qyteti taraks shpirtërisht; varfërohet mendërisht, thahet kulturalisht. Humbet përvoja mes komunikuesve, çka shndërrohet në pakuptimësi mes tyre.

Zvarritesh e jeton biologjikisht, mirëpo ke vdekur intelektualisht.

“Dhe kur qyteti vdes intelektualisht, ka marrë fund…” – më rikthen në bisedë nga endjet tejkohore bashkëbiseduesi, që tani më qëndron përballë. –

“Ke të drejtë, – ia kthej. – Si fytyrë të kam të njohur, por emri s’po më vjen…!”“Jam Refat P., – vazhdon me një avashësi si për të mos shqetësuar kënd. – Të njoh ty dhe babanë tënd.”

E dalloj menjëherë.

Një kohë të gjatë më ka dërguar shkrime për të botuar në gazetën lokale të përjavshme që kam drejtuar.

– “Po gazetën pse e mbylle?” – vijon qetësisht me të njëjtin ton zëri. – “Gazetën s’e mbylla unë, – i them, – por ata që paguanin…” Si për të dashur të dëgjoj diçka më tepër, shtoj: “Ju e dini si është kjo puna e lekut sot…” – “E di, e di, – nxiton, këtë radhë për ta mbyllur, – por një qytet pa intelekt dhe pa gazetë, është i vdekur. Mos e harro këtë!”

Ndahemi me premtimin se do të takohemi sërish për të biseduar.

Ndonëse kaluan shumë kohë, takimi ynë nuk ndodhi.

Pak ditë më parë, u pamë rastësisht.

Vitet kanë kaluar për Refat P.

Vetëm sytë e tij të buzëqeshur janë të njëjtë.

Përshëndetemi.

Këtë radhë nuk flasim për vdekjen e qytetit.

Nëpërmjet një dakortësie të heshtur, nuk kujtojmë asgjë nga biseda e lënë përgjysmë.

Kthehem dhe shkruaj këto radhë për të ndarë shqetësimin e kahershëm.

***

Qyteti, ngjyrat e tij, rrugët, kalldrëmet, treten dhe ndiej se turma, ajo pjesë e rrezikshmërisë sonë të përditshme, shuhet në misterin e kohës.

Artikulli paraprakPOETI FTON NË DUEL…POETIN
Artikulli tjetërHumoristët italianë tallen me Ramën: Një fytyrë dhe një deng me lekë, korrupsionin e kemi njëlloj