Lideri i opozitës, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar sulmin me lëndë kimike ndaj fëmijëve, motrave, grave dhe nënave. Ai tha se Rama i ka shpallur luftë qytetarëve.
“Sot Rama ka urdhëruar një akt të pa ndodhur më parë, sulmin me lëndë kimike ndaj fëmijëve, motrave, grave dhe nënave, grave shtatzëna, në të drejtën legjitime në protestën kundër kuvendit të krimit. Sot Rama i ka shpallur luftë qytetarëve të vet. Në emër të PD-së, dhe opozitës dhe shqiptarëve, i them Edi Ramës, se me këtë akte shpallje lufte të qytetarëve koston do ta kesh 100 % ti”, deklaroi Basha.
Basha tha më tej se nuk ka frikësim dhe se beteja e nisur është pa kthim.
“Ne nuk frikësohemi, ne nuk ligështohemi sepse ne luftojmë për një kauzë të drejtë, për një mision të drejtë, për të ardhmen e shqiptarëve, ne luftojmë për lirinë e demokracinë, ne luftojmë për zgjedhje të lira e të ndershme.
Beteja që ka nisur është pa kthim dhe historia e gjatë e shkurtër e këtij vendi na rrëfen se si do të përfundojë kjo betejë, me shporrjen e krimit dhe triumfin e demokracisë e gjithë vlerave”, deklaroi Basha.
Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të mos dorëzohen pasi fitorja është e tyre dhe jo e qeverisë.
“Geg e toskë, myslimanë e të krishterë, demokratë e socialistë. Të marrim në dorë fatin tonë. Beteja që kemi nisur është pa kthim. Historia na e tregon se si do të shkojë kjo protestë, me shporrjen e kësaj qeverie dhe triumfin e shqiptarëve”, u shpreh Basha.
“Ata na heqin korrentin, ne do t’iu heqim prizën”, vijoi Basha pas ndërprerjes së energjisë, e cila i ndërpreu edhe fjalën.