Skllevërit punojnë në arat e Habilajve të Tahirit

Deputeti i PD, Flamur Noka ironizoi dje daljen qesharake të Tahirit në lidhje me trafikun e drogës, i cili deklaroi se janë qytetarët që nga varfëria mbjellin kanabis. Noka tha se janë kushtet, të cilat Rama ka katandisur vendin, që sot qytetarët janë të detyruar të punojnë si skllevër në ara me kanabis të kushërinjve të Tahirit.
“Si një vrasës gjakftohtë që bën si i penduar për të përfituar nga falja, u shfaq Sajmir Tahiri para shqiptarëve. Por vrasësi gjakftohtë në rastin më të parë do të kthehet prapë tek vrasja e ashtu dhe Tahiri sa të fillojë sezoni i mbjelljes do të kthehet prap tek arat e kanabisit, sepse këtë ka bërë për tre vjet me radhë, duke e 5-fishuar sipërfaqen me kanabis, nga një vit më parë. Tahiri tha se i kuptoka qytetarët që ngasja për të luftuar papunësinë, i çon te puna e paligjshme, i çon tek mbjellja e drogës, por nuk tha se ai dhe Edi Rama e rritën papunësinë dhe varfërinë pikërisht për t’i detyruar ata të punojnë si skllevër në parcelat e Habilajve, Balilajve e trafikantëve të tjerë që me lejen e tyre kultivojnë kanabis. Që Tahiri nuk quan trafikantë asnjë nga kokat e krimit dhe trafikut në Shqipëri, kjo është gjëja më e sinqertë që ka thënë në 3 vjet ministër. Madje, jo vetëm që nuk i quan të tillë, por edhe kur situata i del jashtë kontrollit e Prokuroria a vendet partnere i quajnë të tillë, Tahiri i brendshëm u jep mbrojtje, nuk i arreston dhe i ndihmon të arratisen, siç bëri me Balilajt, Frrokajt e shumë të tjerë”, tha deputeti demokrat. Noka tha se, Tahiri nuk tha asnjë fjalë për personin përgjegjës për 23 ton kanabis të sekuestruara nga Prokuroria në Vlorë. “Nuk tha asnjë fjalë për policët që me urdhër të tij u japin mbrojtje dhe ruajnë arat me kanabis. Nuk ka thënë asnjë fjalë për kërcënimin që trafikantët i bënë një prokurori në prani të policisë. Sot me zërin që i dridhej e gjuhën e trashur nga humbjet e fundit të miqve të tij trafikantë, u tha qytetarëve mos mbillni kanabis edhe pse ata janë thjesht punonjës-skllevër në arat e miqve të tij. E vetmja gjë me kuptim që duhej të bënte sot Tahiri ishte dorëheqja, si njeriu që i jep mbrojtje krimit dhe trafikantëve dhe që pa të do të ishte i pamundur kanabizimin e Shqipërisë”, u shpreh Noka.

Artikulli paraprakVokshi në Forumin e grave të PPE: Shqipëria, Kolumbia e Evropës
Artikulli tjetërAlibeaj: Çdo trafikant paguan 30% tek krerët e policisë për mbrojtjen e arave