Skuadra e Gjicit ndalohet në Austri për trukim ndeshjesh

Skuadra e futbollit të Kukësit me president Safet Gjicin është ndaluar për trukim ndeshjesh në Austri. Trajneri dhe një pjesë e skuadrës kampione është ndaluar të dielën gjatë mbrëmjes në Vjenë dhe është marrë në pyetje për orë të tëra. Trajneri dhe futbollistët janë marrë në pyetje nga hetuesit austriakë për trukime të disa ndeshjeve miqësore që Kukësi zhvilloi pikërisht në tokën austriake. Situata ka krijuar shqetësim dhe panik në ambientet e klubit kampion në fuqi të Shqipërisë dhe ka vënë në siklet të madh edhe futbollistët para ndeshjes së Champions-it kundër Sherif Tiraspolit më 12 korrik.
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, njëri nga njerëzit më të afërt të Ramës është akuzuar edhe herë të tjera për trukim ndeshjesh. Ka dyshime se Gjici po kërkon të rikuperojë paratë e hedhura në Kukës për blerjen e votave në zgjedhjet e 25 qershorit, duke shitur ndeshjet miqësore të futbollit. Dhe duket se, Gjici ka ndikuar në trukimin e rezultateve të ndeshjeve miqësore të Kukësit, që u zhvilluan para pak ditësh në Austri me disa skuadra. Po hetohen tre ndeshjet, Volfsberg-Kukësi 7 – 0, Kukësi-Botosan 3-1 dhe Dinamo e Moskës-Kukësi 6-0. Duket se skuadra e Kukësit ka lejuar vetë pësimin e shumë golave ku mjaft kompani bastesh kanë pësuar humbje të mëdha dhe kanë paditur ekipin e Kukësit për trukim ndeshjesh.

Ngjarja

Të dielën në mbrëmje, teksa ekipi përgatitej për t’u nisur drejt Moldavisë ku do të luajë me Sherifin e Tiraspolit për kualifikuesen e grupeve të Champions League, autobusi u ndalua nga policia e Vjenës në Austri. Disa prej futbollistëve si dhe trajneri Ernest Gjoka u shoqëruan në një prej stacioneve të Policisë së Vienës, ku kontrolluan dhe u morën në pyetje.
Hetimet kanë lindur pas dyshimeve të hedhura nga kompania e monitorimit të kuotave të basteve Federbet. Pak ditë më parë, kjo e fundit shkruante se ndeshjet miqësore të Kukësit të zhvilluara gjatë fazës përgatitore në Austri mund të kenë qenë të trukuara. Burime pranë klubit kampion, pranojnë kontrollet e ushtruara nga policia vieneze, madje konfirmojnë se origjina e hetimit janë dyshimet e Federbet. Kompania dyshon se të trukuara janë tre ndeshje, Volfsberg-Kukësi 7-0, Kukësi-Botosan 3-1 dhe Dinamo e Moskës-Kukësi 6-0.

Hetimet në Austri

Kompania e basteve “Federbet” ka paditur në Prokurorinë e Vjenës Klubin e futbollit të Kukësit me president Safet Gjicin, pasi dyshon se janë trukuar tre ndeshjet miqësore të futbollit, Volfsberg-Kukësi 7-0, Kukësi-Botosan 3-1 dhe Dinamo e Moskës-Kukësi 6-0. Përveç trajnerit Gjoka, bëhet e ditur se, lojtarët e shoqëruar në polici janë portierët Enea Koliçi dhe Ervis Koçi. Të tjerët janë Ylli Shameti, Albert Serran, Rustem Hoxha, Hair Zeqiri dhe Simon Rrumbullaku. Lojtarët kanë qëndruar për më shumë se tri orë në komisarisat dhe mësohet se një pjesë e tyre janë lënë të lirë rreth orës 00:45.
Nuk ka ku të shkojë më keq se kaq sa i përket imazhit të futbollit shqiptar. Vitin e kaluar UEFA dënoi kampionët e Shqipërisë, Skënderbeun, që të mos merrte pjesë në Champions, pikërisht për trukime. Ndërkohë, sot sërish kampionët në fuqi të Shqipërisë ndalohen në Vjenë me të njëjtin dyshim. Gjithsesi, deri në këtë moment kemi të bëjmë vetëm me hetim për një paracaktim të mundshëm rezultatesh, pasi mund të rezultojë që Kukësi të jetë krejtësisht i pastër. E gjitha kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

Artikulli paraprakVdes pas operacionit 18-vjeçarja, familjarët akuzojnë mjekët
Artikulli tjetërSituatë dramatike, 36 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit