Futja e Behar Bajrit në linjat e trafikut të kokainës, duke përdorur rrugët e sigurta të ngritura nga Amerika Latine në Portet e Europës nga biznesmeni i lojërave të fatit Ervis Martinaj, nuk kërkohet vetëm nga Bajri, por dhe nga një person tjetër shumë i rëndësishëm që qëndronte i izoluar në burgun Nr.313 në Tiranë.
Me këtë person, Bajri ka qënë në burg gjatë kohës kur hetohej për një seri akuzash nga Krimet e Rënda dhe më pas SPAK-u, i cili i ka sugjeruar që t’i kërkojë punë Vis Martinaj, në këmbim të mbrojtjes nga armiqtë që, sipas tij, ai (Visi) i kishte të shumtë dhe të fortë.
Kjo pasi një muaj para kësaj bisede, në 31 Maj 2020 në Mamurras, Ervis Martinajt i kishin vrarë dy miqtë e ngushtë Bujar Likën (Ari) dhe Paulin Gjergjin.
Ndërkohë, pas daljes nga burgu të Beharit, ky person e ka udhëzuar atë që të afrohet me Ervis Martinajn, me shpresën se ky i fundit do i jepte punë në trafikun e kokainës.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se personi është i njëjti individ që i linte në përdorim telefonin “Sky” Behar Bajrit, gjatë kohës kur qëndronte në paraburgimin Nr.313.
Telefonin “Sky” të këtij personi, Behar Bajri e përdorte nga brenda burgut, për të folur me biznesmenin Pëllumb Gjoka, i cili po negocionte me disa njerëz të Drejtësisë, me qëllim lirimin e Behar Bajrit nga burgu.
Behar Bajri, ka mundur të dalë nga burgu në 29 qershor 2020.
Por sapo ai ka shkuar në Shkodër, ai vihet në kontakt në ditët e para të muajit korrik 2020 me biznesmenin Ervis Martinaj, i cili kishte braktisur Tiranën, duke u vendosur në Fushë-Kuqe, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në ish-Bllok, në 4 Tetor 2018, në të cilën Martinaj humbi shokun Fabian Gaxhaj dhe u plagos vetë së bashku me Eljo Haton.
Bajri, ka shkuar vetë tek Ervis Martinaj, duke zhvilluar një takim me të tek hotel “Arbëria Palace”, ku sigurisht së bashku kanë folur edhe për mundësinë që Martinaj do i jepte në trafikun e Kokainës.
Ndërkohë në mëngjesin e 10 korrikut 2020 Behar Bajri i shkruan Ervis Martinajt, duke zhvilluar së bashku këtë bisedë si më poshtë vijon:
Behari: …Si je shok…?
Martinaj: Ça të bajm…ti si ke shku…?
Behari: “…mirë, po rimë këtej tu u marë me këto kurva me jan ndry si minjtë mrëna…”.
Ndërsa Ervis Martinaj e këshillon Beharin duke i thënë: “…mos nxito, nji her o shok…”.
Por Behari vijon t’i shkruajë duke i thënë: “…në lagje tu ju ndenjt kurvave, nuk kanë se dalin. Veç mrena, jan nry në dhoma rina…po hajt ishadha e qesin kryt dikun…Po ti si i ke pas punët…?, Ai shoku më shkrojti…”.
Martinaj: “…Hëë…!
Behari i thotë Martinaj si më poshtë: “…a po na ndihmon najgja, naj punë…kur po takojna prej afër se me celular su flitka me ty, se të kthen mas 3 orëve…”.
“…kur të fus nji punë të fortë, do të fus e ty, 100 copë…”-i thotë Martinaj, Beharit.
Por Behari ia kthen sërisht mesazhin duke i thënë: “…o shok, nuk jam bubs unë…por të erdha për respekt dhe të takova dhe u shtyva si me të hek armiqt e me ti ba miq…se nuk jam njeri si i rri kujt, si çadër…”.
Ndërsa Martinaj ia kthen: “…100 copë të bardha them…ça ndihme e ke fjalën ti…?”.
Behari: “…o vlla, po kam met tu të shkru…”.
Kurse Martinaj i thotë se: “…nuk e mbaj telefonin me vete…”, duke i treguar se e lë tek hoteli.
Por sërish Behari vijon t’i shkruajë, duke dërguar mesazhet si më poshtë: “…nuk asht puna tek nima mar shok, unë jam menduar për mirë për ty…ti s’je në kushte me lan telefonin tek hoteli. Je në kushte me majt telefon afër, por ti din çfarë ban. Unë të erdha… tesh të takon ty me ardhë…buk e kryp e zemër, kam edhe unë…”.
Ndërsa një ditë më pas, në mëngjesin e 11 korrikut 2020 Ervis Martinaj i kthehet Behar Bajrit, duke i shkruar mesazhet:
“…O Behar, s’mu ka vra qeni, mu ka vra njeriu më i afërt i jetës. Kam qënë tu ec nëpër det e mal, tu mendu kaq, ndaj e lej telefonin tek hoteli…”.
Në këtë periudhë Ervis Martinaj ka qënë i tronditur për vrasjen e Bujar Likës në Mamurras, ndaj nuk ishte fort në terezi në komunikimin me Behar Bajrin, i cili i kërkonte shpjegime se me të nuk flitej, pasi i kthente përgjigjet në “Sky” me shumë vonesë.
Vetëm 4 muaj nga kjo bisedë, në datën 27 tetor 2020, Ervis Martinaj bisedon në aplikacion “Sky” me Behar Bajrin, për të ndarë muhabetin nëse do e fuste këtë të fundit apo jo në linjën e trafikun të kokainës që e realizonte nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të porteve të Europës.
Martinaj i kujton Bajrit, që të qëndrojë diskret në këtë veprimtari kriminale dhe të mos i tregojë kujt, duke i shkruar si më poshtë vijon:
“…asnjë s’du që ta dije dhe do bisedojmë bashkë këto tre ditë. Munesh me fut sa të kesh takat ti…”.
Por Behari ia kthen: “…aaaa, a kena Garanci…?”.
Por Ervis Martinaj ia kthen me një përgjigje epike se: “…garanci kam vetëm zgjuarsinë time…dhe ça lekësh kam unë do i fus. E këta çunat ça lekësh kanë do i fusin që të rinë me mua. Ashtu garancie që thua ti, s’kam jetën time more …kapedan…”.
Sërish Behar Bajri ia kthen me ndrojtje duke i shkruar: “…Por nuk kam lekë mor “Kapedan…”. Ti e di, por unë nuk jam në hapat e tua. Por a më the se po të ndihmoj mar “Kapedan…”. A po ma merr rrizikun ti herën e parë, mo “Kapedan”. Më thuaj kur po rimë…?”.
Ndërsa biznesmeni Ervis Martinaj e këshillon duke i thënë: “…mos u turr pas fajdeve…”.
Kurse Behari ia kthen: “…po lek po mbledhi…”.
Behari vijon t’i shkruajë në “Sky”, Vis Martinajt duke i pohuar:
“…po rrezikun, a po ma mer rrezikun veq herën e parë dhe nuk ta haroj. 5 për qind i fus vetë dhe po dal në diellë. Por a po ma merr rrezikun, veç kyt herë? A më jep fjalën tani…se më ke në krah, por më ndihmo…”.
Martinaj ia kthen me mesazh duke i shkruar se: “…mos e fol me njeri se më prish punë. Po për zotin, ndihmë kështu as vëllai jot s’ta ka ba…”.
“…Po e di, por ma ban, e ti bij lekët sonte… 5 për qind po i fus unë, po hyj borgj…”- ia kthen Behar Bajri.
“…Ore ishallah po bëhet…nuk duhen lekët sonte jo… duhen mas 2 javësh… Po rëndësi ka që të bëhet. Lekët duhen brenda muajit nëntor”- i thotë Ervis Martinaj.
Biznesmeni vijon t’i shkruajë duke i thënë: “…100 copë e ke vendin, aq do fus dhe vetë unë…vetëm mos folë me njeri se më ngelet hatri se veç ty të kam thënë, se çdo muhabet e qet jashtë. Nuk i lej hapësirë kujt, veç teje 100…”.
Behari: “…I qin unë…?!”…jo jo nuk i them kujt. I qind për mu…?!”
Martinaj: “…po i lashë kujt s’jena ma shokë, se veç ti më ke ra mbrapa. 10 për qind edhe hypja 20 dalja…”.
Por Behari ia kthen: “…vlla du me fut për vedi i 100 copë. Në i qin copë, sa i bjen me marë unë 80 copë?. Ok në rregull por ama merr rrezikun veq kyt rradhë, fjalë burrash, lekët i kam ok. Po normal lekët i kam dhe më thuaj ti bij…”.
Martinaj: “…E me turkun…”.
Behari: “…jo mor vëlla, çfarë flet nuk i them kujt…Po jo o vëlla, do i fus veç për vedi për kryet të kalamanjve dhe do ju jap naj gjë dhe këtyreve. Ok e kam të shitur…”.
Por sërish biznesmeni Martianaj, ia kthet Beharit duke i kërkuar këtij të fundit që të mos flasi lart e poshtë, duke i shkruar: “…mos i thuaj kujt, veç atyre që rrimë, Lela e Plluma. Herës tjetër ja fusim nga 200, masanej nga 400…”.
“…Jo mo vlla nuk tregoj…”- i thotë Behari, duke vijuar t’i shkruajë Ervis Martinaj se: ”…ba me dal, do ju jap ka 100 mijë euro Denisit dhe Samos dhe Dorit, se kam shpenzime…”
Sërish Martinaj ia kthen: “…O e ke të dalme, por veç fike News 24… ( shprehje figurative duke i rikujtuar Beharit të mos flasë mos hapi gojën për këtë punë) se të tjerët bajnë nga 1000 copë e nuk folin. Leli s’ta ka futur 1 bukë kurrë, o budalli i dreqit…”.
Behari: “…po nuk kam punë me të o vlla, vari ka**n e tij….
”Ndërsa Martinaj i thotë: “… po na e bjer ta ballafaqojmë…”.
“…kismet se kam kohë si nuk kam fol, por varja puna e tij…”- ia kthen Behar Bajri.
Më tej po në datën 27 Tetor 2020, teksa Behar Bajri bisedon me biznesmenin Pëllumb Gjoka, duke i shkruar këtij të fundit për merakun se s’po e kapte dot Bardhok Pllanaj.
“…atë Bardhokun, si nuk po e kap, se ai vdes prej frike…”-i shkruan Behar Bajri, Pëllumbit.
Ndërsa ky i fundit ia kthen: “…se gje gja Bardhokun, ka kaluar shumë ai ashtë mjeshtër…”.
Por sërish Behari i shkruan më tej duke qeshur: “…hahaha varet kur e ka ditën dhe ky, po po ashtu është. Po dhe mu më ka vënë në gjumë, po më ka dhënë valjum derisa ta zaj atë Dorin…”.
Në fakt Dorian Dulin nuk mundi ta kapë dot kurrë Behar Bajri. Duli, nuk mundi të kapet dhe nga Prokuroria e Posaçme SPAK, e cila e kërkoi si dëshmitar për ta pyetur dhe ky person nuk u arrit të gjendet në Shqipëri nga oficerët e Policisë Gjyqësore./OraNews