Gjatë intervistës së tij në “Euronews Albania”, Basha u shpreh se mbështetja për SPAK-un është e pakompromis dhe pa kushte, ndërkohë që gazetarja Milori e informoi se ka një padi në SPAK ndaj tij nga Adriana Kalaja e Rithemelimit të Berishës.
“Lajmi i mirë qenka që paskan filluar të besojnë te SPAK edhe treshja që qëndron pas kësaj zonjës, – u shpreh Basha, – sepse kjo në këtë rast është thjesht një kamikaze, paskan filluar të besojnë edhe këta te SPAK-u.”
Më tej gazetarja e pyeti në e shqetëson kjo padi, ndërsa kreu demokrat, Lulzim Basha, u shpreh se nuk e shqetëson asgjë, sepse këto janë trillime mediatike dhe propagandistike.
“Unë në çdo hap të aktivitetit tim politik jam 100% transparent, i hapur dhe i qetë. Padiskutim që është zhvilluar një luftë politike që ka kulmuar me korruptimin e shefit të kundërzbulimit të FBI-së në SHBA dhe kuptohet se para një skeme të tillë korruptive, e cila është zbardhur në Amerikë, ai ndodhet në burg për atë që ka bërë, por nuk është zbardhur ende në Shqipëri, lojëra të tilla me individë të tillë, i marrë me të qeshur.” – u shpreh kreu i PD-së, Lulzim Basha.