Soares: Portugalia fiton Europianin me një super-Ronaldo

Cedric Soares, mbrojtësi i djathtë që luan për Southampton-in në Angli është një nga risitë e Portugalisë në Euro 2016-të. 24-vjeçari, i cili ka zhvilluar vetëm 11 ndeshje me përfaqësuesen luzitane u përzgjodh nga trajneri Fernando Santos në listën e 23 futbollistëve që do të përfaqësojnë, Portugalinë në Francë. Soares po e shijon në maksimum këtë moment, dhe është gati të ndihmojë kombëtaren e vendit të tij të arrijë të bëjë mrekullinë në Francë.
“Europiani është një kompeticion i jashtëzakonshëm dhe ne po përgatitemi për ta nisur në mënyrën më të mirë atë. Ëndërrojmë finalen, dhe mbi të gjitha triumfin në këtë kompeticion. Do të bëjmë gjithçka për ta arritur qëllimin. Unë mendoj se nëse ne do të besojmë maksimalisht se do t’ia dalim mund të fitojmë në fund dhe të bëjmë ëndrrën realitet. Deri tani jemi në rrugën e duhur dhe nëse vlerësojmë maksimalisht çdo ndeshje mund të shkojmë larg”, tha Soares.
Cristiano Ronaldo është ylli, tek i cili varen shumë nga shpresat e Portugalisë në këtë kampionat Europian. Sipas Cedric Soares, 3-herë fituesi i Topit të Artë është futbollisti më i mirë në Botë, dhe Cristiano i ka mundësitë për të udhëhequr përfaqësuesen luzitane drejt triumfit në Francë. “Paul Pogba dhe Antoine Griezmann janë gjithashtu dy lojtarë fantastikë, por ju nuk mund t’i krahasoni ata kurrësesi me Cristiano Ronaldon. Ai është lojtari më i mirë në qarkullim, është një futbollist i një tjetër niveli dhe unë jam i sigurtë se do të shkëlqejë në Europian”, tha ai.

Artikulli paraprakBenzema e ndoqi Francën nga shtëpia
Artikulli tjetërEkonomia në pikiatë, investimet publike në shifrat më të ulëta historike