Socialistët djegin teserat në Dibër

Rreth 200 socialistë dibranë kanë vendosur t’i bashkohen sot PD-së. Vendimi është bërë i ditur në një takim të organizuar në Pallatin e Kulturës në Peshkopi, ku i ftuar ishte dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kandidati demokrat për Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu. Duke shprehur zhgënjimin e madh për partinë e tyre, braktisjen dhe mashtrimin, ata kanë grisur në mënyrë simbolike teserat e PS. Socialistët dibranë janë shprehur se, “Edi Rama i ka harruar socialistët, ata enden rrugëve të papunë, pa bukë, ndërsa pasurohen vetëm një grusht njerëzish”. Kirurgu Bashkim Murati tha se, janë rreth 200 socialistë që kanë vendosur të largohen nga Partia Socialiste dhe t’i bashkohen Partisë Demokratike. Duke shprehur zhgënjimin e madh për partinë e tyre, braktisjen dhe mashtrimin, ata kanë grisur në mënyrë simbolike teserat e PS-së. Ata thanë se, Edi Rama i ka harruar socialistët, ata enden rrugëve të papunë, pa bukë, ndërsa pasurohen vetëm një grusht njerëzish.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se,  zgjedhja e Edi Ramës për të mos qeverisur me socialistët, për të mos qeverisur me shqiptarët e ndershëm, por për të qeverisur me krimin, kriminelët dhe një grusht oligarkësh që i zhvasin pasuritë e shqiptarëve është arsyeja pse Shqipëria ndodhet në këtë gjendje.
Basha e bëri të ditur dhe në këtë takim se, aleanca e tij dhe e Partisë Demokratike për të ndryshuar realitetin e hidhur në të cilin ndodhet vendi është me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, pa dallim bindjesh politike.
Kandidati për kryetar Bashkie, Sherefedin Shehu theksoi se,  përpara se të mendojmë për partitë tona më shumë duhet të mendojmë për Dibrën, pasi përpara se të jemi anëtarë partie jemi dibranë. Dibrën mund ta ndryshojmë, duke patur një aleancë me qytetarët e Dibrës dhe jo mbështetjen e vetëm një partie politike.
“Për mua ishte një surprizë që të ndodhesha këtu përpara këtyre përfaqësuesve, këtyre njerëzve që në radhë të parë kanë Dibrën, por natyrisht që kjo përbën një moment të rëndësishëm për këtë fushatë që kemi nisur.
Ky është momenti kur unë dhe PD duhet të mendojmë dy herë për Dibrën dhe jo një herë siç thonë të gjithë, që do të bëjnë më të mirën për të. Dhe sot po kuptojmë të gjithë më shumë, meqë këtu flitet më shumë për Dibrën, flitet për interesa që shkojnë përtej partive politike. Natyrisht të gjithë biem dakord, që ne përpara se të jemi anëtarë të partive politike, ne jemi qytetarë të Dibrës dhe përpara se të mendojmë për partitë tona, më shumë duhet të mendojmë për Dibrën. Dhe PD ma dha këtë mandatim për të kërkuar detyrën e kryetarit që bashkë me ju të ndryshojmë Dibrën.
Por, Dibrën mund ta ndryshojmë vetëm duke qenë së bashku, duke pasur një aleancë me qytetarë të Dibrës dhe jo vetëm  mbështetjen e një partie politike. Koalicioni i Partisë Demokratike është rritur, por këtë të sotmen e shikoj edhe si zgjerim të aleancës së saj me qytetarët dhe e shikoj si një nisëm, si një fillim të ri për ndryshimin e Dibrës sot dhe të Shqipërisë nesër. Dhe Dibra do të qeveriset nga kjo aleancë e të gjitha fushave, por edhe të gjitha aspekteve politike. Çdo gjë që është për Dibrën do të dalë përtej kornizës politike dhe kjo është garancia që unë kam për ju. Ne do t’i rikthejmë Dibrës së bashku dinjitetin. Ne do t’i rikthejmë Dibrës universitetin”, tha Shehu.

Revolta e socialistëve: Kjo qeveri duhet të largohet

Ramazan Kaziu: Unë quhem Ramazan Kaziu, kam emër dhe mbiemër. Një mbiemër shumë të dëgjuar dhe të mirë. Ne në qoftë se po krijojmë këtë distancim dhe këtë zemërim e krijojmë se nuk është marrë me ne. Nuk na ka dëgjuar ne hiç, nuk ka qa hallet tona. Ke socialistë rrugëve pa punë, familjen pa bukë, pa asnjë mbështetje. Të lutem do të bëj një thirrje, kuptoje si të duash. Kam besim, kam shumë besim se je një djalë i zgjuar i Partisë Demokratike. Nuk të mungon asgjë, mbi të gjitha je i thjeshtë, je me këmbë në tokë. Dhe këtë besim e kam të madh që nuk do të na zhgënjesh si kryetari jonë. Data 11 të jetë një sihariq i madh për Dibrën, gjithë kombin e saj që të mos zhgënjehemi më me këto premtime boshe, jo të bëjmë Rrugën e “Arbrit”, jo të bëjmë rrugë të tjera, jo do të bëjmë këto asfaltime. Asfaltime elektorale që do të bëhen për 4-5 ditë dhe prishen. Shpresoj shumë që fitorja e  profesor Sherefedinit të jetë shumë e thellë. Dhe po ju them me sa e njoh unë profesorin, nuk do na zhgënjeje.
Tahir Mziu: Jam një anëtar i Partisë Socialiste, i zgjedhur disa herë në strukturat e Partisë Socialiste. Duke na premtuar kryesia e Partisë Socialiste premtime të mëdhaja edhe ne si anëtar të Partisë Socialiste dhamë kontributin tonë në maksimum. Pasi morën kontributin tonë, ata zunë karriget dhe pastaj u futën nëpër zyra dhe nuk pyetën më për organizatën e partisë, për popullin, për askënd. Kështu që, duke parë që kryesia e PS-së e distancuar komplet nga anëtarët e saj edhe ne me një njeri të pabesë, të pashpresë, me gënjeshtra, edhe ne do të distancohemi nga kjo parti, nga radhët e saj. Distancimi im nga Partia Socialiste do të jetë që në këtë moment dhe teserën e saj unë… (e gris)
Kështu që të gjithë së bashku si një trup i vetëm duhet të bashkohemi dhe ta zhdukim edhe nga radhët e shtetit që është sot, sepse ky e ka shkatërruar popullin në zero, ekonomia ka rënë përtokë. Gënjeshtrat janë shumë të mëdhaja; marrim Rrethin e Dibrës, do të bëjmë Rrugën e “Arbrit”, Rrugën e “Abrit” e stakoi, Universitetin e Dibrës ja hoqi degët, bujqësinë po ashtu përtokë, pa ujë. Kemi ujë?! Ujë s‘kemi, kështu që edhe ne … hashashi e probleme, ka shumë probleme. Po ne t’i biem shkurt me dy fjalë siç i bie populli. Kështu që edhe ne duhet të bashkohemi të gjithë së bashku si një trup i vetëm për të shkatërruar këtë qeveri.
Bashkim Murati: Kam punuar me të vetmen arsye që edhe mendoja që PS-ja dhe aleanca e majtë po të fitonin do të kishin një kontribut dhe një vlerë shumë të madhe për t’i dhënë këtij vendi një impuls përpara dhe për ta çuar Shqipërinë tonë europiane në nivele të kënaqshme ekonomike dhe politike. Dibra është e penës, është e fjalës, është e besës, është edhe e pushkës. Nuk është Dibra ajo që udhëhiqet nga njerëz pa nivel dhe pa arsim, siç ka ai deputetët socialistë dibranë. E dimë kush janë deputetët socialistë dibranë?! Injorantë janë! Kjo është arsyeja pse unë grisi teserën e Partisë Socialiste dhe u bashkëngjitem Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Suksese!

Kriminale kërkimi i votës në këmbim të ndihmës ekonomike

Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu u takua të dielën me banorë të fshatrave Selishtë, Hurdhë, Muhur dhe Fushë Muhur. Shehu u njoh me shqetësimet e banorëve për presionin që u bëhet, “votë në këmbim të ndihmës ekonomike” dhe me faktin që ndihma ekonomike u është hequr familjeve në nevojë dhe u është dhënë personave me lidhje me pushtetin. Kandidati për kryebashkiak, duke e konsideruar kriminal këtë fakt theksoi me drejtimin e Bashkisë prej tij, listat e ndihmës ekonomike do të jenë të shpalluara publikisht dhe ndihma do t’i shkojë atij që ia jep ligji, pra që ka nevojë.
“Ndihma ekonomike përdoret për vota. Ndihma ekonomike përdoret për presion. Ndihma ekonomike nuk paguhet në kohë. Të gjitha këto janë abuzive. Ndihmën ekonomike vëllezër ua jep ligji, jo kryetari i bashkisë. Ju garantoj se listat e ndihmës ekonomike do t’i keni të shpallura atje në murin e njësisë administrative, që secili të shohë sa merr dhe kush e merr ndihmën ekonomike, që ndihma ekonomike të shkojë tek ai që i takon”, tha Shehu.
Infrastruktura, ujësjellësi dhe kanalizimet ishin po ashtu në qendër të bashkëbisedimit të zotit Shehu me banorët. Kthimi i administratës në punë për t’u shërbyer qytetarëve të Dibrës është domosdoshmëri, tha zoti Shehu, i cili nënvizoi se sot ata marrin vetëm rrogën.
“Ne do të rikthejmë administratën në shërbimin tuaj. Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve prioritet do të ketë zona, siç është zona juaj, Selishta, Zall Dardha, Reçi dhe Lura, të cilat janë akoma të paasfaltuara. Ndërmarrja e Ujësjellësit në Peshkopi ka jo pak, ka 50 veta dhe nuk ka njerëz që vijnë për të zgjidhur problemet e furnizimit apo problemet e funksionimit të këtij sistemi.  Kjo ndërmarrje do të ketë njerëz nga ju që çdo ditë të kontrollojë funksionimin e sistemit”, tha Shehu.

Artikulli paraprakHajdutët, 870 milionë lekë të tjera Carapulit
Artikulli tjetërZhvatje e fondeve të Bashkisë Dibër për fushatën e PS