Reltar DEDA
Personazhi lapidar i Franc Kafkës Gregor Samsa, që pëson metamorfozë e shndërrohet në një insekt gjigand, nuk do të ndihej i huaj në Shqipëri, ku metamorfozat trajtohen si gjë e zakonshme.
Konstandini, që ngrihet nga varri, i vdekuri që ngjallet për të mbajtur amanetin, jo rastësisht ndjehet në shtëpi të vet.
Transformimet e ekzagjeruara, më në fund, e paskan truallin e tyre.
E tillë u duk edhe njëherë tjetër Shqipëria mesditën e djeshme, veçanërisht në Kavajë.
Rreth orës 13:00, një ish drejtor i Zyrës së Punës ka plagosur me armë zjarri tre persona. Ata janë Eqerem Kazazi, djalin e tij, Erkid Kazazin si dhe një kalimtar të rastit Dritan Xhixha, 46 vjeç. Autori i plagosjes quhet Saimir Kurti, mik i ngushtë i kryetarit të Bashkisë, Elvis Rroshit.
Kurti është eksponent i PS në Kavajë, një ish-drejtor i akuzuar për korrupsion, dhe pa i dridhur fare qerpiku, shkrehu armën ndaj tre personave ditën e sotme. Sipas informacioneve të para, të transmetuara nga media, ai është largur nga zona e krimit me ndihmën e kryetarit të PS-së, Kavajë.
Mirëpo, shkaku i ngjarjes nuk është aspak ndryshe nga trilli i një romani. Madje ai ka edhe kohën e tij, një artistike dhe një tjetër reale. Ai tha se është konfliktuar me autorët e krimit për shkakun se bashkëshortja e tij, nuk është lejuar të parkojë përballë lokalit të familjes Kazazi. Dhe për këtë arsye, pas një konflikti verbal, gjithçka ka degjeneruar në përdorimin e armës.
Ata që nuk e njohin se kush është Saimir Kurti, me shumë siguri, do ta besonin një trill të tillë. Shqiptarët aq më shumë, ku nderi dhe morali nuk hidhen “sheshbesh” në një lojë zarash. Për më tepër të guxosh edhe t’u vësh dhe çmim.
Për ata që e njohin, nuk do ta besonin kurrë një ngjarje të tillë. Mjafton t’u skedosh për pak sekonda historikun e tyre. Kurti nuk është ndryshe aspak nga miku i ngushtë Rroshi, ndoshta jo me pesë dënime të ndryshme në Europë, por është një personazh jo i panjohur i botës së të fortëve të qytetit të Kavajës.
Në një kohë të tillë, pyetja do të ishte: A do guxonin Kazazajt për t’i ngacmuar gruan Sajmir Kurtit? Përgjigja, do të ishte: Kurrë! Atëherë, çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur ajo që pritej në Kavajë, tension dhe instalim frike ndaj çdo qytetari opozitar, madje deri aty sa edhe të ketë dhunim fizik ndaj tyre.
Por kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër është kjo. Tipi i ri i socialistit të sotëm, ka partinë mbi gjithçka. Partinë mbi veten, partinë mbi familjen, partinë mbi nderin. Mjafton të jetë partia e ndershme, e paprekur, por gruaja, motra dhe nëna le të bëhen kurvë. Socialistët e Kavajës nuk e kanë aspak ndërmend të sprapsen, pasi për ata, nëna e tyre është partia.
Ja dhe një metamorfozë e re. Ajo thjesht ndodhi sot, e mbi të gjitha nuk trazoi askënd, sepse ajo nuk ndjehet e huaj, ka truallin dhe shtëpinë e saj mes nesh.