Nuk ka zgjatur më shumë se një orë mbledhja e Kryesisë së socialistëve, e cila ishte e dyta brenda javës që zhvillohej. Burime për Fax News bëjnë me dije se në këtë mbledhje u diskutuan çështjet organizative për zgjedhjet e 30 qershorit.
Po ashtu mësohet se PS po përgatitet të bëjë ndryshime edhe tek listat e të deleguarve të kryesisë në qarqe. Në këtë mbledhje gjithashtu u vendos që takimi i radhës së Kryesisë, i parashikuar në 30 Mars, të mbahet një javë më herët, në datë 23 mars.
Ajo që është vënë re në këtë takim është fakti se të gjithë socialistët kanë qenë të heshtur dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë përpara gazetarëve.
Edhe kryeministri Rama është parë të dalë vetëm nga mbledhja i heshtur, pasi duket se ato qe kishte për të thënë, i ezauroi me shkarkimin e 7 ministrave të tij.
Në mbledhje kanë qenë të pranishëm edhe disa prej ministrave të shkarkuar, të cilët janë pjesë e Kryesisë si: Lindita Nikolla, Arben Ahmetaj apo Ditmir Bushati.
Ministrat do të qëndrojnë në detyrë, deri në betimin e pasardhësve të tyre tek presidenti Ilir Meta. Mbetet për t’u parë nëse ky i fundit do të ketë refuzim për ndonjërin nga shtatë emrat e propozuar nga Rama.