Societe nxjerr në shitje 49 pasuri me vlerë 8.4 mln euro

Javën tjetër, Banka Societe Generale zhvillon ankandin për shitjen 49 pasurive të paluajtshme me vlerë 8.4 milionë euro, të cilat janë marrë në administrim në këmbim të kredive të pashlyera në kohë. Ankandi do të zhvillohet me 26 maj dhe burimet zyrtare te bankës pohojnë se, banka do të ofrojë ulje për çmimet e këtyre pasurive nga 30-80% sipas llojit.
Banka sqaron se, ofertat do të pranohen me zarf deri më 23 maj, ndërsa pjesëmarrja në ankand mund të bëhet edhe me skype.
Ankandi bazohet në modelin e çmimit të rezervuar dhe funksionon në këtë mënyrë. Pronat kanë një çmim shitje që është gjithmonë publik dhe gjendet në webin e Bankës, por ankandi fillon me çmim zero. Gjithkush nga të pranishmit është i lirë të ofertojë një vlerë që e gjykon të arsyeshme tha Ardian Hasa, Drejtori i Divizionit Operacional në Bankën Societe.
Pothuajse të gjitha bankat tregtare në vend kanë krijuar departamente të posaçme për shitjen dhe administrimin e pronave të marra nga debitorët që nuk kanë shlyer kreditë e marra. Këto janë prona, që pas dështimit të ankandeve të organizuara nga përmbaruesit i kanë kaluar në pronësi bankave.
Krahas shërbimeve financiare që ofrojnë për individët dhe bizneset, bankat tashmë kanë të atashuara edhe pasuritë e paluajtshme të ofruara për shitje. Banka Raiffeisen, ka ofruar një paketë prej 210 pronash në të gjithë vendin për shitje. Shpallje të tilla në web-et përkatëse kanë më së shumti Tirana Bank, Alpha Bank, Banka Kombëtare Tregtare, Societe Generale, etj., por secila nga bankat ka zgjedhur një mënyrë të vetën për të shitur pasurinë e lënë peng.
Vlera e pronave që bankat duhet të shesin për të mbuluar kreditë me probleme është afërsisht 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro). Mirëpo kjo shumë duket se po rezulton në një flluskë në momentin e ekzekutimit të tyre për shkak të një mori pengesash që po i çojnë zhvlerësojnë kolateralet nga vlerësimi i bankave deri tek ekzekutimi i tyre nga përmbarimi.
Një problem me shumë influencë është çështja e tregut të pasurive të paluajtshme, informaliteti që e ka mbërthyer atë, mungesa e një indeksi zyrtar të pasurive të paluajtshme, ka pohuar Shoqata e Bankave në një qëndrim të posaçëm për “Monitor”.

Exit mobile version