Sokol Cikalleshi: Kisha shumë oferta, por zgjodha Akhisar

Kur të gjithë mendonin se do të qëndronte te Istanbul Basaksehir të paktën deri në përfundim të këtij sezoni, në ditën e fundit të merkatos së dimrit, Sokol Cikalleshi vendosi të ndryshonte skuadër. Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionatit turk, por tashmë do të mbajë veshur fanellën e Akhisar Belediye, ekip tek i cili do të luajë për 6 muajt e ardhshëm në formë huazimi nga Istanbul Basaksehir. Në një lidhje telefonike për mediat, 26-vjeçari kavajas shpjegoi se përse zgjodhi të kalonte te Akhisar edhe pse në drejtim të tij kishte shumë oferta, nga kampionate të ndryshme.
Mungesa e hapësirave në muajt e fundit dhe dëshira e madhe për të luajtur, bëri që Cikalleshi të merrte vendimin e papritur për t’u larguar nga Istanbul Basakehir, por edhe pse tashmë do të mbrojë ngjyrat e një tjetër ekipi në kampionatin turk, Cikalleshi vazhdon ta ndiejë veten pjesë e skuadrës nga Stambolli dhe shpreson që Basaksehir të fitojë titullin kampion.
Kombëtarja shqiptare ishte një tjetër faktor shumë i rëndësishëm në zgjedhjen e sulmuesit, sepse Cikalleshi është i bindur se duke luajtur rregullisht te Akhisar, do të ketë më shumë hapësira edhe te përfaqësuesja kuqezi.

Artikulli paraprakKina dhe Anglia, superfuqi në merkaton e dimrit
Artikulli tjetërPioli: Do ringrihemi