Detaje të reja kanë dalë në dritë nga mbledhja që kryeministri Edi Rama zhvilloi në mesditë në Pallatin e Kongreseve me drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryebashkiakët socialistë.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi zbuloi në “Ditar” se Rama u ka kërkua të gjithë kryebashkiakëve që të nisin të luftojnë për një mandat të katërt dhe beteja sipas kryeministrit nuk do të jetë për të mposhtur kundërshtarët e opozitës, por për të bindur elektoratin gri.
Shefi i qeverisë duket i shqetësuar nga rritja e numrit të votuesve që bëjnë pjesë në grupin asnjëanës dhe A2 CNN mëson se kjo frikë është e ndërtuar mbi rezultatet e sondazheve të brendshme të Partisë Socialiste.
“Socialistët janë të shqetësuar me elektoratin gri, i cili ka ardhur në rritje në vitet e fundit sipas sondazheve të brendshme të së majtës. Për këtë arsye Rama ka kërkuar që socialistët të shkojnë drejt këtij grupi votuesish për të mos lënë që vota e elektoratit gri të shkojë te PD e as te partitë e reja që kanë dalë në skenën politike. Jo vetëm në këtë takim por në çdo forum të PS është ngritur si shqetësim pjesa e sondazheve të brendshme”, raportoi Beleshi.
A2 CNN ka mësuar se edhe në retreat-in që u zhvillua të premten në Elbasan u është bërë me dije deputetëve socialistë se sondazhet e 10 viteve të fundit nga 2014 në 2024, tregojnë se elektorati i PS ka rënë.
Analiza e partisë në pushtet tregon po ashtu se votuesit e humbur nuk kanë shkuar te kundërshtari politik, por kanë mbetur të ngrirë duke refuzuar të zgjedhin midis alternativave në garë.
Për këtë arsye fokusi i socialistëve është që të bindin elektoratin gri që të votojë për ta në zgjedhjet e 2025 dhe programi i tyre mban emrin: “beteja votë më votë”.
“Kanë bërë një projekt për patronazhimin e çdo votuesi në të gjithë Shqipërinë për të mos lënë asgjë surprizë për ditën e zgjedhjeve”, raportoi më tej Beleshi.
Sipas gazetares së A2 CNN, PS po ashtu synon që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen më 11 Maj, datë kjo që përkon me të djelën e fundit e periudhës që parashikohet në Kodin Zgjedhor.