Sondazhet si strategji e manipulimit dhe devijimit elektoral, a po heton SPAK?

Nga Bato Kosova

Sondazhet shpeshherë janë prezantuar si mjete shkencore që matin opinionin publik, por realiteti shpesh i bie ndesh këtij synimi. Ato mund të përmbajnë një pjesë të së vërtetës, por rrallëherë e përfaqësojnë atë plotësisht. Raste ndërkombëtare të freskëta, si ai i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara ku Donald Trump u shpall fitues përkundër shumicës së sondazheve që parashikonin humbjen e tij, janë tregues se këto mekanizma shpesh gabojnë – ndoshta jo për shkak të metodologjisë, por ndonjëherë për shkak të qëllimit elektoral në funksion të financuesit real të tyre.

Në Shqipëri, sondazhet e fundit për zgjedhjet e 11 majit, kanë marrë një rol edhe më të dyshimtë. Ato shpesh shërbejnë jo për të pasqyruar një realitet politik, por për ta krijuar dhe orientuar atë. Në mënyrë të hapur, duken si instrumente që ruajnë status-quonë, Rama-Berisha nga njëra anë, si dhe dekurajojnë çdo përpjekje për ndryshim në anën tjetër.

Nuk është e rrallë në këto sondazhe të cilat nuk tregojnë asnjëherë se si dhe ku i marrin kampionët, që të shohësh personazhe të cilët nuk “ekzistojnë” asgjëkundi si Tom Doshi, ndërkohë të njëjtat media që i publikojnë këto sondazhe janë edhe ato që ofrojnë kohë televizive të blerë për figura “të reja” politike, duke i promovuar dhe duke i ngritur lart në grafik si pasojë e pagesës prej tyre të kohës televizive.

Ndërkohë, politikanë që zhvillojnë takime të gjera në terren dhe marrin pjesë në aktivitete reale, si Lulzim Basha, i cili takon qindra e mijra njerëz në ditë bashkë me kandidatët Euroatlantik, shpesh injorohen ose minimizohen nga këto sondazhe. Mbështetja e tyre në terren nuk reflektohet, por përkundrazi, sondazhet krijojnë perceptimin e një rënieje të tyre. Kjo bëhet me qëllimin malinj për të dekurajuar përkrahësit dhe për të ndikuar tek votuesit e pavendosur.

Për të mos folur pastaj për sulmet e vazhdueshme në media dhe nga të njëjtët gazetarë, të lidhur qoftë me Berishën qoftë me Ramën. Rasti i fundit ishte kur një emision televiziv në një Tv kombëtar, (Opinion i Blendi Fevziut), i cili nuk paraqet asnjë aktivitet të përditshëm të Bashës, merrej në mënyrë fragmentare vetëm me një nga qindra videot e tij nga takimet me njerëzit. Nga ana profesionale gazetareske e turpshme, pasi bullizohet Basha për të shmangur thelbin e video-replikave të tij me Ramën, (Ku i ke shokët, 7×7=313), të cilat janë një denoncim i pamëshirshëm për korrupsionin 12 vjeçar të Rilindjes dhe vetë kryeministrit.

Nga pikëpamja e përdorimi politik kemi të bëjmë me një shqetësim dhe frikë të dyshes Rama&Berisha, për kontrastin ku i ka vendosur Basha, duke ju kujtuar çdo ditë korrupsionin, burgun, SPAK dhe marrëveshjet e tyre kundër drejtësisë, për të mbyllur listat dhe sidomos ato ekonomike në kulla dhe biznese.

Kështu edhe sondazhet nuk janë më pasqyra të realitetit, por mjete që e deformojnë atë – një formë moderne e manipulimit publik që përdor shifrat për të ndërtuar një narrativë të përshtatshme për ata që kanë më shumë akses te pushteti mediatik dhe financiar. Synimi dhe mesazhi që u japin votuesve është i qartë dhe disfatist: Edhe pas 34 vitesh, tranzicioni do vazhdojë me të njëjtët mamuthë të tij, Rama&Berisha.

Ata do të jenë sërish, edhe pushteti edhe opozita, edhe shiu edhe dielli. Këto sondazhe të cilat në mënyrë kriminale deformojnë realitetin e asaj që duan qytetarët, në fakt janë një subjekt i mirë hetimi nga Task Forca që ka ngritur SPAK për këto zgjedhje. Ato janë duke ndikuar dhe devijuar në mënyrë artificiale një proces zgjedhor, i cili duhej të ishte një garë e barabartë mes të gjithë subjekteve.

Gjithashtu ky hetim duhet të zbardh mënyrën se si ato kryhen. Sa para paguhen për një sondazh; nëse i porositin televizionet përkatëse, a kanë fatura? Nëse janë porositur nga të interesuar të tjerë garues në zgjedhje, cilët janë dhe a kanë burim transparent të pagesave? Ky hetim duhet të zbardh gjithashtu çdo transaksion financiar të mundshëm të subjekteve politike në këto zgjedhje, me televizionet përkatëse dhe kompanitë e huaja që kryejnë këto sondazhe.

Ndoshta këto sondazhe janë “të pastra si kristal”, por SPAK e ka për detyrë funksionale tu bëjë një transparencë të plotë përderisa vetë “organizatorët zyrtarë”, nuk po e bëjnë. Të drejtosh, manipulosh votuesin shqiptarë duke përdorur licensa televizive është krim elektoral, edhe më i madh se të tjerët. Jo vetëm kaq:

SPAK ka një mundësi më shumë për të vazhduar punën edhe në këtë rast, me metodologjoni që ka vënë tashmë në veprim: Ndiq paranë!/Alfapress.al

Artikulli paraprakTë gjitha “fajet” i ka Basha!
Artikulli tjetërBasha merr pjesë në homazhet e Ambasadës së Vatikanit për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut