Sondazhi në Shqipëri: 70% e qytetarëve në 6 qarqe pohojnë se barnat nuk janë të sigurta

Një ndër faktorët kryesorë pse shqiptarët largohen jashtë vendit është shëndetësia dhe cilësia e barnave mjekësore. Pamundësi për të mos përballuar ilaçet që mjekët rekomandojnë si efektive për trajtimin e sëmundjeve, i çojnë qytetarët që të përdorin ilaçet e rimbursuara.

Instituti Agenda ka kryer një studim ditët e para të shtatorit, në lidhje me kujdesin shëndetësor publik në vendin tonë, veçanërisht sa i përket trajtimit me medikamente. Anketimi u zhvillua në shtatë qytetet më të mëdha të vendit: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Shkodër, Vlorë dhe Korçë.

Sipas të dhënave të studimit të kryer në 6 qarqet më të mëdha të vendit, 70% e qytetarëve pohojnë se shteti shqiptar nuk ofron mbështetje të mjaftueshme financiare për trajtimin me barna përmes skemës së rimbursimit.

Një pjesë e mirë e tyre pohojnë se ilaçet që marrin nuk japin efektin e duhur, kjo pasi për të reduktuar kostot lihen alternativat më të lira. Sipas studimit, rreth 39 % e qytetarëve pranojnë se vetë mjekët i kanë këshilluar që të blejnë ilaçet për trajtimin e sëmundjeve të tyre, pasi medikamentet e listës së rimbursimit sipas tyre nuk janë të efektshme.

Pjesa dërrmuese e qytetarëve beson se ilaçet që qarkullojnë në vendin tonë nuk janë të sigurta . Plot 38% e qytetarëve të cilët kanë pasur nevojë për trajtim shëndetësor me medikamente nuk kanë pasur mundësi ekonomike të blejnë medikamentet e nevojshme ndërsa rreth 19% e tyre i kanë blerë me vështirësi.

Nga anketimi në 5 qarqe, rezulton se rreth 50% e qytetarëve nuk kanë fare dijeni për listën e rimbursimit të barnave. Përballë kësaj situate, humbja është sërish vetëm e tyrja. Pyetjes nëse gjatë 12 muajve të fundit, u ka ndodhur të mos blenë dot barnat e udhëzuara nga mjeku, ngaqë kanë qenë shumë të shtrenjta dhe nuk rimbursoheshin nga shteti, i janë përgjigjur me “PO”, rreth 39% e të anketuarve, shifër kjo që dëshmon qartë se për shkak të pamundësisë ekonomike për të përballuar çmimet, ata i kanë mohuar vetes trajtimin e duhur.Trajtimi në kohë me barnat e duhura jo vetëm rrit shanset e një shërimi dhe zvogëlon rrezikun e përkeqësimit të sëmundjes.

Referuar shifrave të IQIVIA (organizatës globale që raporton mbi të dhënat në shëndetësi), pavarësisht aspiratave për tu integruar në Bashkimin Europian, vendi ynë mbetet larg standardit të këtyre vendeve pasi vetëm 5% e GDP-së është buxheti i shëndetësisë, ndërkohë që mesatarja europiane është 10.9%.

Niveli i mbulimit me barna të rimbursueshme në Shqipëri nuk kalon 37% ndërsa mesatarja për Europën është 61%. Kësaj situate i shtohen dhe problemet të shkaktuara nga nga vonesa e pashpjegueshme për miratimin e listës së re.

Kjo vonëse aktualisht ka sjellë një sërë problemesh në tregun farmaceutik. Mungojnë shumë ilaçe që janë në listën e barnave te rimbursueshme, pasi distributorët nuk kanë ndërmarrë riskun për të krijuar stok.

Aktualisht nga ekspertët e shëndetësisë, situata me buxhetin e akorduar për barnat e rimbursueshme tregon se pika më e dobët e këtij sistemi nuk janë investimet në aparatura, por pikërisht trajtimi me ilaçe, i cili në kushtet aktuale më shumë sëmur se shëron qytetarët, duke iu mohuar një të drejtë themelore.

Exit mobile version