Soros, 150 milionë euro të majtës në Shqipëri, por krimbat po fshihen

Gazetari Blendi Fevziu e ka konsideruar projektin e Sorosit në Shqipëri një dështim total. Megjithëse nuk argumenton asnjë tezë politike të këtij dështimi, Fevziu për të arritur në këtë përfundim mjaftohet me faktin se ai e ka shumë të vështirë të gjejë mbështetës të filozofisë së Soros që të debatojnë dhe mbrojnë atë publikisht. Ai thotë se e ka pamundur që të gjejë intelektualë që Soros i ka mbështetur që të bëhen pjesë e panelit të tij në debat me këtë temë, pasi të gjithë justifikohen se e kanë të pamundur të jenë në debat. Po përse ata e mënjanojnë këtë përballje dhe identifikim përballë Shqipërisë? Është e qartë gjithçka. Era Trump që fryn nga Shtetet e Bashkuara është aq e fortë sa askush nuk e përballon dot atë. Krimbat po fshihen se ata janë të trembur. Ora e llogaridhënies për këtë spekulant ndërkombëtar po vjen që nga Shtetet e Bashkuara nga ku ka nisur hetimi i administratës amerikane për të përfshirë të gjitha vendet ku ai ka hedhur fonde të shumta për të kontrolluar politikën dhe bizneset.
Fevziu thotë se Soros ka shpenzuar në Shqipëri 150 milionë euro dhe në këto 20 vite ka mbështetur vetëm të majtën. Në këto dy fakte Fevziu jep edhe arsyen se ku kanë shkuar të ashtuquajturat fonde për shoqërinë civile, e cila nuk është asgjë tjetër veçse një grupim paramilitarësh politikë të Ramës dhe bandës së tij.

Shkrimi i Blendi Fevziut

Në dhjetor 1991, kur Xhorxh Soros vendosi të ngrejë fondacionin e tij në Tiranë, Shqipëria ishte vendi i fundit i Lindjes ku komunistët nuk kishin rënë ende nga qeverisja dhe ku opozita demokratike pritej të vinte shpejt në pushtet. Fondacionet e miliarderit amerikan qenë ngritur më herët në Budapest dhe në gjithë vendet e Lindjes. Në disa prej tyre, kur komunistët ishin ende në fuqi dhe sundonte sistemi njëpartiak, Shqipëria ishte më 1991 vendi i vetëm ku ai nuk kishte ende një strukturë të tillë.
I frymëzuar nga idetë e Karl Poperit, një ndër filozofët më të mëdhenj të shekullit XX, në konflikt me autoritarizmin e filozofisë marksiste, Soros besonte tek demokracia liberale dhe shoqëria e hapur. Ai i vuri fondacioneve të tij, këtë emërtim dhe i instruktoi ato që të punonin pikërisht në këtë drejtim. Pra, në vendet e mbyllura dhe të ndrydhura ish-komuniste, ku mendimi i lirë nuk ekzistonte dhe ndëshkohej, ai tentoi të frymëzonte një shoqëri të hapur, të mbështetur mbi mendimin e lirë dhe liberal. Ithtar i kësaj teorie, ai hyri thellë në zhvillimet politike në ish-Jugosllavi dhe në vendet e tjera. Ideja e fondacionit ishte të identifikonte personazhe dhe personalitete, kryesisht të rinj, të cilët të përbënin bazën e një të ardhmeje politike dhe shoqërore liberale në vendet ku ata militonin. Pra, që të evidentohej, zgjidhej, mbështetej dhe të konsolidohej ajo që konsiderohej si elita e ardhshme e këtyre vendeve. Por gjithnjë një elitë e mbështetur mbi teoritë dhe tezat e demokracisë liberale. Fondacioni do ta lehtësonte karrierën e këtyre njerëzve përmes financimit dhe lobimit politik për ta.
Historia e Fondacionit Soros në Shqipëri është më e komplikuar dhe specifike. Që kur Fron Nazi, një shqiptaro–amerikan i rritur në Bronks dhe me origjinë nga Puka mbërriti në Tiranë në dhjetor 1991 dhe deri më sot, Fondacioni ka pasur dy drejtime. I pari, ka qenë ai i filozofisë politike të fondacionit dhe i dyti, ai administrativ dhe lidhej me projektet dhe përfituesit e tyre. Ne jemi duke ndërtuar një prej dosjeve më të plota të veprimtarisë së tij që do të publikohet këtë fundjavë. Aktiviteti administrativ ka pak rëndësi, ndërsa ai politik ka qenë më evident. Prej 1992–1996 fondacioni u orientua tek opozita liberale e Sali Berishës, kryesisht bashkëthemelues të PD, që tentonin të mbanin një distancë edhe me ish-komunistët. Pas vitit 1996 ai u lidh më fort me të majtën dhe në 20 e ca vjet personalitetet e së djathtës të mbështetur nga fondacioni janë aq të rrallë sa mund t’i numërosh me gisht në raport me mbështetjen që ka pasur e majta. Përfshi këtu mbështetjen personale të Ramës, i cili ishte njohur me Sorosin në vitin 1993 në Budapest në rrethana shumë interesante.
Por pavarësisht të majtës apo të djathtës; pavarësisht shqiptarizimit tipik të tezave të Sorosit; pavarësisht katandisjes së ideve të tij në mbështetje tribale dhe ideologjike, besohej se fondacioni kishte përkrahur jo pak personazhe që kishin përqafuar filozofinë e shoqërisë së hapur dhe të liberalizmit. Pra, thënë ndryshe, besohej se pas 26 vitesh kishte krijuar një elitë të formuar sipas ideve të Poperit dhe filozofisë së tij që fondacioni e mbështeti rregullisht. Fatkeqësisht zhvillimet e fundit treguan që jo vetëm kjo s’ka ndodhur, por tezat dhe filozofia e Sorosit paska qenë një dështim total në Shqipëri. Për rreth 2 javë “Opinion” po tenton të organizojë një emision për rolin dhe aktivitetin e Sorosit në Shqipëri. Bëhet fjalë jo për atë administativ, por për filozofinë e tij të shoqërisë së hapur. Për fatin e keq, nëse paneli i kontestueve është krijuar shumë lehtë, ai i mbështetësve të fondacionit duket i pamundur. Lista e gjatë e intelektualëve dhe personaliteteve të mbështetura prej tij, edhe financiarisht edhe politikisht, është reduktuar në pak, shumë pak emra, aq sa nuk bëjnë dot një panel të plotë për t’u përballur me kontestuesit. Përtej justifikimeve të gjithsecilit për të mos qenë në studio, duket qartë që kjo filozofi ka qenë dështim në Shqipëri. Nëse kudo në Europë ka pasur mbështetës të Sorosit që mbi bazën e parimeve të shoqërisë së hapur janë përballur me kritikat ndaj tij; që kanë debatuar ose shprehur opinione për këtë, në Shqipëri kanë heshur të gjithë. Me përjashtim të një shkrimi të Andi Bushatit që kurrë s’ka pasur ndonjë lidhje me fondacionin, të gjithë kanë heshtur. Ose i janë shmangur debatit. Mungesa e njerëzve që mbrojnë filozofinë për të cilën Soros ka investuar thuajse 150 milionë dollarë në Shqipëri është edhe dështimi i gjithë investimit që Soros ka bërë në këtë shoqëri. Ose që me gjasë e ka bërë gabim…

Etja për pushtet e Soros dhe tentakulat në Shqipëri

Emri i miliarderit Xhorxh Soros është familjar në Shqipëri. Soros është mik kryeministrit Edi Rama. Madje shefi i qeverisë shqiptare ishte i ftuar edhe në dasmën e tretë të multimiliarderit para tre vitesh. Ndaj tij janë hedhur vazhdimisht akuza se pasurinë e ka ngritur duke iu shmangur taksave, manipulimit të ligjit në disa vende të pazhvilluara të botës. Edhe në Shqipëri kanë qenë të shumta akuzat se Soros mban në kthetra politikën shqiptare, liderët e partive, institucionet e drejtësisë dhe se vazhdimisht po devijon rrugën e reformave sipas interesave të fondacionit. Etja për pushtet e Soros u shtua dhe në vitin 2000 zgjeron fushat ku do të shtrihet me “programet” e tij. Arriti aty ku synonte pa u penguar nga askush, në “përmirësimin e qeverisjes” dhe “integrim në BE”. Në vitin 2013 Soros themeloi edhe Fondin e Menaxhimit, nga i cili akumuloi një shumë prej 13.3 miliardë $. Për aktivistin dhe avokatin, Altin Goxhaj, influenca e Soros në Shqipëri ashtu si edhe në vendet e tjera të botës është shndërruar në një biznes fitimprurës. “Asnjëherë Fondacioni Soros nuk ka pasur ndonjë objektiv që lidhet me përmirësimin e demokracisë. Fondacioni Soros nuk është një OJF që investohet për demokracinë apo shoqërinë e hapur apo për zhvillimin e ndonjë vendi. George Soros është një spekulant ndërkombëtar që përdor boshllëqet ligjore ndërkombëtare dhe lokale për veprimtarinë e tij fitimprurëse dhe kriminale si një armik i demokracisë dhe shoqërisë së hapur. Ai ka ‘shpikur’ një biznes me fitime të pallogaritshme nëpërmjet mashtrimit dhe instrumentalizimit të strukturave jofitimprurëse dhe mediave. Një monstër e tillë e bursës globale është një person i rrezikshëm për çdo shtet. Edhe në Shqipëri Soros që më 1992 ndërtoi një rrjet në shoqërinë civile dhe kapi mediat nëpërmjet investimit te një kategori gazetarësh që plotësonin kriteret duke investuar miliona dollarë dhe nëpërmjet tyre më 1998 mbështeti karrierën politike të Edi Ramës dhe më pas nëpërmjet tij ndërtoi këtë skemë të kapjes së pushtetit total dhe ndërtimit të një regjimi oligarkik të ngjashëm me një juntë fashiste me një plan të qartë përftimi miliardash dollarë duke shkretuar ekonominë shqiptare dhe shitjen e saj për skrap”, thotë Goxhaj.

Shtatë kongresmenë: Të hetohet Soros

Shtatë kongresmenë republikanë kanë nisur të hetojnë për financimin me paratë e taksapaguesve amerikanë të një organizate të lidhur me George Soros, duke thënë se është përdorur për të ndryshuar politikën e brendshme të Maqedonisë. Letra e nënshkruar nga shtatë kongresmenët diskuton raportet shqetësuese për atë çka ka ndodhur në Maqedoni gjatë administratës së Obamës.
“Fatkeqësisht, kemi mësuar nga raporte të besueshëm se, gjatë dy vjetëve të fundit, Misioni i SHBA në Maqedoni ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikën partiake në Maqedoni, si dhe në formimin e mjedisit mediatik dhe të shoqërisë civile, në një mënyrë partizane të pavend, gjë që, direkt dhe indirekt, ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Maqedoni. Sipas raporteve, kjo ndërhyrje ka favorizur vazhdimisht partitë, median dhe grupet e shoqërisë civile të majta dhe të qendrës së majtë. Kemi dëgjuar se veprimet e Misionit të SHBA në Maqedoni i kanë favorizuar fuqishëm këto parti në garën e zgjedhjeve parlamentare, të programuara fillimisht për më 24 prill, të shtyra për 5 qershor dhe të zhvilluara, më në fund, më 11 dhjetor; si dhe në procesin postzgjedhor, në të cilin partitë maqedonase diskutonin për formimin e qeverisë së re”, thuhet në letër.
Siç ka bërë të ditur më parë “Breitbart News”, Soros – financues kryesor i të majtës institucionale në SHBA – është përqendruar te Maqedonia, duke shpenzuar atje për kokë më shumë se në çdo vend tjetër evropian, çka ka çuar në krijimin e asaj që përkrahësit e tij e quajnë “Ushtria e Sorosit”.
Nën qeverisjen e Obamës, fondet janë dërguar përmes grupeve të lidhura me Sorosin. Zëvendëspresidenti i grupit Stop Operation Soros shtjellon:
“Vitet e fundit, USAID, agjencia qeveritare amerikane dhe ambasada e SHBA këtu (Maqedoni) u kanë dhënë miliona dollarë grupeve të drejtuara nga George Soros. Grupeve konservatore nuk u japin asgjë sadopak të ngjashme. Ata përkrahin vetëm njërin krah të ndarjes ideologjike në Maqedoni dhe e bënin këtë në një kohë kur këto grupe organizonin protesta të dhunshme, sulme kundër policisë, bënin gjithçka për të rrëzuar qeverinë konservatore të vendit”.
Kur anëtarë të Kongresit kërkuan informacione, morën vetëm disa përgjigje të mjegullta, sipas letrës së shtatë kongresmenëve amerikanë.

Exit mobile version