Soros nxjerr 70 mijë në protestë kundër Orbanit

Il Giornale

Dhjetëra mijëra persona kanë manifestuar dje në Budapest, kundër mbylljes së Universitetit Qendror Europian, universiteti i themeluar në kryeqytetin hungarez nga miliarderi amerikan, Xhorxh Soros. Një protestë e deklaruar kundër miratimit nga ana e Parlamentit hungarez javën e kaluar të një ligji që do të çojë drejt mbylljes së universitetit të Sorosit deri në vitin 2021.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, 70 mijë njerëz kanë zbritur në shesh ditën e dielë për të formuar atë që është quajtur si një prej manifestimeve më të mëdha kundër qeverisë gjatë këtyre viteve të fundit. Pjesëmarrësit në protestë kanë mbushur sheshin që ndodhet përballë Parlamentit që mbrohej nga policia, për t’i kërkuar presidentit të republikës, Janos Ader, që të vendosë veton ndaj ligjit të miratuar nga pushteti ekzekutiv i Budapestit.
Mijëra protestues, kryesisht studentë, kanë dalë në rrugët e Budapestit duke ndezur dritat e telefonëve celularë, për të kërkuar respektimin e të drejtës së arsimimit. Sloganë të ndryshëm kundër kryeministrit, Viktor Orban, janë shpalosur ndërkohë që studentët i afroheshin selisë së partisë në pushtet, Fidesz. Një grup më i ngushtë njerëzish ka bllokuar më pas Oktogon, një nga sheshet më të famshme të Budapestit, duke qëndruar të ulur në asfalt dhe duke bërtitur kundër kreut të qeverisë dhe partisë së tij.
Presidenti hungarez, Janos Ader ka për të marrë vendimin nëse do të firmosë ose jo dekretin për universitetet e huaja, duke e kthyer atë në ligj apo nëse do të ushtrojë të drejtën e tij të vetos në bazë të pakushtetueshmërisë së dekretit, duke e rikthyer edhe një herë për shqyrtim në Parlament. Pavarësisht presioneve të shumta të huaja, apelit të protestuesve, të partive të opozitës dhe të rektorit të Universitetit Qendror Europian, Michael Ignatieff, ky kalim konsiderohet nga shumica si një formalitet i thjeshtë.
Ka pak gjasa pra që Ader, anëtar i partisë së qeverisë Fidesz dhe i rizgjedhur president muajin e kaluar falë mbështetjes së kryeministrit Orban, të bojkotojë ligjin e famshëm të ashtuquajtur antiSoros. Masat e vendosura nga qeveria pritet të modifikojnë normat që rregullojnë aktivitetin e universiteteve të huaja në Hungari, duke i detyruar financuesit e vendeve që nuk janë anëtarë të Bashkimit Europian, të hapin një seli edhe në vendin e prejardhjes dhe të operojnë në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet qeverisë së vendit të prejardhjes së universitetit dhe qeverisë hungareze.
Megjithatë, ligji duket se i drejtohet pikërisht Universitetit Qendror Europian, i vetmi universitet që nuk i respekton këto kërkesa në Hungari dhe është pozicionuar në sulm të qeverisë së kryeministrit hungarez Orban, i cili kërkon të kundërshtojë të gjitha organizatat e financuara nga Sorosi që operojnë në Hungari.
Përpara universitetit privat të themeluar nga Sorosi në vitin 1991 në Budapest, nën shënjestrën e pushtetit ekzektiv të Orbanit ishin vënë të gjitha organizatat e manjatit amerikan që merreshin me emigrantët dhe të drejtat e njeriut, veprimtaria e të cilave, sipas qeverisë hungareze, kishte për qëllim të dobësonte institucionet vendase dhe të destabilizonte vendin.
Disa institucione ndërkombëtare shfaqen të shqetësuara për lirinë e edukimit në Hungari, përfshirë edhe Parlamentin Europian që në sesionin e ardhshëm plenar do të diskutojë edhe për këtë ngjarje. Sipas “Reuters”, Departamenti i Shtetit amerikan do të dërgojë gjatë kësaj jave një grup diplomatik në Budapest për të zgjidhur çështjen e Universitetit Qendror Europian.

Exit mobile version