Sot ceremonia, Frangu do të prehet në varrezat e “Dëshmorëve”

Në ditën e 20-vjetorit të rënies së “Dëshmorit të Atdheut”, Kujtim Frangu, sot organizohet ceremonia e homazheve të përcjelljes së eshtrave të tij për në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut Tiranë. Ceremonia organizohet nga Bashkia Mat, në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Dibër, Ministrinë e Mbrojtjes dhe familjen e “Dëshmorit të Atdheut”, Kujtim Tofik Frangu.
Homazhet përkujtimore nisin në orën 10:00 pranë Muzeut Historik, Mat.
Në orën 11:00 niset autokolona nga Mati drejt Tiranës për në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut.
Në orën 14:00 vendosja e eshtrave në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut Tiranë.
Çdo fillim korriku, dega lokale e PD-së Mat e përkujton Kujtim Frangun me ceremoni solemne, e cila zhvendoset kryesisht në kryeqytet, pasi atje banojnë aktualisht prindërit e tij. Nën kujdesin e familjes janë përgatitur libra dhe reportazhe televizive kushtuar jetës dhe veprimtarisë së “Dëshmori të Atdheut” Kujtim Frangu.
Kujtim Frangu u vra më 6 korrik 1997 në qendrën e votimit në fshatin Lis të Matit. Në zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit të vitit 1997, të cilat në rrethin e Matit u zhvilluan më datë 6 korrik 1997 Kujtim Frangu ishte anëtar i komisionit të qendrës së votimit për Partinë Demokratike. Ai u vra për ruajtjen e vlerave demokratike dhe mbrojtjen e votës së lirë. Familja, Partia Demokratike dhe e gjithë Shqipëria, humbën njeriun e shtrenjtë, intelektualin e shquar, si dhe patriotin e rrethit të Matit, dëshmorin Kujtim Frangu.

Kujtim Frangu, histori e martirit që u vra në mbrojtje të votës

20 vjet më parë, më 6 korrik 1997 u vra në qendrën e votimit në fshatin Lis të Matit komisioneri i Partisë Demokratike, Kujtim Frangu. Falangat e krimit të organizuar vranë pabesisht demokratin e orëve të para, i cili edhe në atë vit të vështirë të rebelimit mafiozo-komunist u bë shembull i qëndresës në mbrojtje të votës së lirë.
Kujtim Frangu lindi më 5 maj 1955, në fshatin Lis të rrethit Mat, në një familje patriotike matjane. Ai mbaroi shkollën 8-vjeçare në fshatin e lindjes me nota të shkëlqyera, më pas vazhdoi shkollën e mesme të përgjithshme në qytetin e Burrelit, ku u dallua për rezultate të mira dhe sjellje shembullore.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, atij iu ndërpre vazhdimi i studimeve të mëtejshme për shkak të persekutimit politik të babait të tij, Tofik Frangu, i dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor me 20 vjet burg. Më pas, jeta e tij vazhdoi si punëtor në fshatin e lindjes dhe në vitet ’90 si gjithë patriotët e tjerë, ai u bashkua në lëvizjen për ndryshimet e reja demokratike, ku u zgjodh dhe kryetar i seksionit të Partisë Demokratike të fshatit Lis. Ai me vullnetin dhe kontributin e tij arriti të mblidhte rreth Partisë Demokratike intelektualët më të mirë të zonës. Gjatë kësaj periudhe ai vazhdoi drejtimin e partisë në fshat deri në rënien e tij.
Pas vitit ’90, ai punoi si mësues shkolle në Lis, ku u dallua si edukator i shkëlqyer. Në vitin 1994, ai u caktua administrator në Komunën Lis, ku punoi në funksionin e përgjegjësit të marrëdhënieve me publikun, ku dhe këtu u dallua për marrëdhënie të mira dhe komunikim të shkëlqyer me njerëzit dhe kolegët. Puna dhe përkushtimi i tij kanë lënë mbresa dhe përshtypje deri në ditët e sotme.
Në zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit të vitit 1997, të cilat në rrethin e Matit u zhvilluan më datë 6 korrik 1997 Kujtim Frangu ishte anëtar i komisionit të qendrës së votimit për Partinë Demokratike. Ai u vra për ruajtjen e vlerave demokratike dhe mbrojtjen e votës së lirë. Familja, Partia Demokratike dhe e gjithë Shqipëria, humbën njeriun e shtrenjtë, intelektualin e shquar, si dhe patriotin e rrethit të Matit, dëshmorin Kujtim Frangu.

Ndjenja e sakrificës dhe e vetëflijimit

Ndjenja e sakrificës dhe e vetëflijimit ishte e rrënjosur në gjak tek Kujtimi. Pa bujë, pa zhurmë, përditë, në forma të ndryshme të të gjendurit për të tjerët e për t’i ndihmuar ata. Nëna e tij e quante Kujtimin, “I miri i shokëve”. Linte punën e tij, për të mbaruar më parë punët dhe hallet e shokëve e të njerëzve cilëtdo qofshin. Fitorja e demokracisë në vitin 1991, ia rriti krahët e idealizmit dhe përkushtimit. Besonte tek lumturia dhe liria njerëzore. Siç i referohet Xhafer Martini, Shantali Millon-Desal: “Politikisht liria çon në krye të shtetit …jo më të mirët. Ekonomikisht, liria ua lë pushtetin egoistëve dhe të shkathtëve, të gatshëm për ta mbytur bashkësinë…”. Kujtimi besonte tek lumturia njerëzore, tek liria e njeriut dhe kish shprehur bindjen e tij, se ato një ditë do të vinin për të gjithë.
Idealizmi dhe përkushtimi i Kujtim Frangut karakterizon jo vetëm tërë veprimtarinë e jetës së tij, por edhe si komisioner i votës së lirë, për të cilën dha jetën i goditur me plumb nga një dorë gjakatare ditën e zgjedhjeve për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1997. Vdekja është e bukur kur ndodh për bukurinë e jetës. Ka shumë rëndësi se si jeton, por më shumë rëndësi ka se si vdes. Vdekja tregon se ç’njeri ke qenë, thotë populli. Vdekjet më të bukura janë si ajo e Kujtim Frangut. Të biesh hero nga plumbi për një ideal të lartë, për lirinë e njeriut, për të drejtën e votës së lirë në demokraci. Mund të vritesh edhe për punë të këqia dhe atëherë shkon si “qeni në rrush”, thotë sërish populli. Mund të vdesësh në krevat dhe sado i madh të kesh qenë, thonë: “ndërroi jetë”, “U shua”, “U nda nga jeta”, etj. Por, vdekja është e bukur kur ndodh për bukurinë e jetës. E tillë ishte ajo e Kujtim Frangut.

Kujtim Frangu, “Dëshmor i Atdheut”

Më 17 korrik 2012 Ministria e Mbrojtjes shpalli “Dëshmor të Atdheut” Kujtim Frangun, komisioneri demokrat i vrarë me armë zjarri në zgjedhjet e vitit 1997 në qendrën e votimit të fshatit Lis në rrethin e Matit. Kjo ndodh për herë të dytë, pasi në vitin 1998 atij iu dha titulli nga Këshilli i Rrethit, ndërsa tashmë nga institucioni i lartë.
Këshilli i Rrethit Mat, me vendimin Nr.19, Dt.02.07.1998 e ka dekoruar “Dëshmori i Atdheut” me motivacion: “Rënie në krye të detyrës si komisioner në Komisionin e Votimit”. Gjithashtu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me dekretin Nr.4984, dt.20.07.2006 e ka dekoruar atë “Për merita të veçanta civile” me motivacionin “Për kontributin e dhënë, duke sakrifikuar dhe jetën në zhvillimet demokratike në mbrojtjen e votës së lirë”. Partia Demokratike Dega Mat dhe Shoqata e të Përndjekurve Politikë nderoi birin e saj, demokratin e shquar, njeriun e palodhur mëshirues të vlerave të larta demokratike, si dhe frymëzuesin, dëshmorin Kujtim Frangu.

R.POLISI

Artikulli paraprakI gjithë vendi në flakë, 10 vatra zjarri në pyje vetëm dje
Artikulli tjetërProtesta para Bashkisë për Parkun e fëmijëve