Ergys Mërtiri
106 vjet më parë ne u shfaqëm, për herë të parë në historinë e kombeve, si një entitet sovran. Kjo ditë është shpërblimi i një sakrifice të jashtëzakonshme që patriotët shqiptarë bënë në një gjysëm shekulli, për ti dhënë jetë një projekti, pa të cilin ne nuk do ishim sot këtu.
E filluam jetën si komb duke na gjymtuar që ditën e parë. Konferenca e Londrës vendosi që gjymtyret tona t’iu shpërndahet fqinjëve si llokma me të cilat ata shpresuan të blejnë qetësinë, për të mos patur telashe në rajon. Por ende pas 100 vjetësh, barqet e tyre nuk janë ngopur dhe qetësia nuk është vendosur, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të mbijetojnë të përgjysmuar.
Shteti që arritëm të krijojmë ishte i gjymtuar, ashtu si dhe fati ynë, që na rezervoi shumë makthe gjatë kësaj rruge njëshekullore, gjysmën e së cilës e kaluam në një diktaturë të tmerrshme. E mrekullueshme është që, pas 100 vjetësh, arritëm të shpëtojmë nga duart e kasapëve Kosovën, ndonëse ajo, ashtu si edhe ne, vazhdon të përballet me një mijë halle, e ndonëse nuk na lenë të jetojmë në një shtëpi.
Nëse ka gjë që kemi arritur të mësojmë në këta 100 vjet është aftësia për të mbijetuar. Kemi mësuar të mbijetojmë nga pushtimet, luftërat e brendshme, dhuna dhe terrori komunist, e tashmë edhe nga hajdutët dhe zagarët që na qeverisin.
Tashmë kjo po na kthehet në një problem sepse, duke ushtruar artin e te mbijetuarit, nuk dijmë më të jetojmë. Nuk dijmë të çohemi dhe t’ua copotojmë surratin politikanëve që tallen me fatet e këtij populli, që shesin troje e kufinj, që bëjnë pazare me interesat e vendit, që zaptojnë prona e resurse dhe thithin djersën apo gjakun e njerëzve.
Sot do të shohim që shumë prej atyre që e kanë përçudnuar keq e më keq këtë vend, do të tundin flamurin e hipokrizisë me shqiponjën dy krenare që valëvitet në gjakun e poshtërsive që i janë bërë e po i bëhen këtij kombi. Sot do të shohim horrat më të fëlliqur të gëzojnë e festojnë paturpësisht nën strehën e nacionalizmit, duke pozuar me simbolet e kombit si pasardhës të Ismail Qemalit. Ironia nuk na ka munguar kurrë. Kemi parë ti vendosen mbi krye asaj shqiponje edhe sëpatat kafshërore të fashizmit, edhe ylli i terrorit komunist dhe thonjtë e paprerë në gishtat e zgjatura mbi gjoks të Edi Ramës, mund ti shtojnë disa nota komike, por nuk ia ndryshojnë aspak cinizmin.
Uroj që foshnja që lindi, sakate, në 1912, të fillojë të shërohet, të mësohet të ecë me këmbët e veta dhe të mësojë t’ua thyejë turinjtë atyre që guxojnë të tallen më me të!