Sali Lushaj ka reaguar me anë të një statusi në Facebook për arrestimin e të birit, reperit të njohur Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.
Lushaj e quan arrestimin e djalit të tij një hakmarrje pas padisë ndaj kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Ai thekson se ky regjim nuk do ta mposhtë atë dhe familjen e tij dhe i kërkon Stresit të mos dorëzohet.
Lushaj kujton se Stresi ka lindur në internim dhe pavarësisht të gjithave e ka mbështetur në bindjen e tij duke iu referuar bindjes politike.
Postimi në Facebook
Përshëndetje miq! Besoj po shikoni e ndigjoni ca përralla që na tregonin dikur gjyshja ose gjyshi. Ka dy ditë që ky pushtet po merret me djalin tim, Stresi. Çdo gjë e sajuar. Çdo gjë e përgatitur nga mllefi që u tërbuan që unë i bëra Ballës një padi në gjykatë.
Këta filluan të hakmerren brenda 12 orësh. Aspak e vërtetë se qenka grup kriminal. Një shpifje e fëlliqur. Askush nuk është ndaluar tjetër e s’do të dalë në këtë lojë të fëlliqur e të përgatitur.
Grup kriminal i madh shumë pa asnjë tjetër. Por ne kurrë s’do të mund të na thyejnë e të na përkulin para këtij regjimi të fëlliqur. Ne kemi duart e ky regjim ka hekurat. Kurrë s’do më mposhtin mua e as familjen time. Vetëm dua t’i them djalit tim mos u dorëzo para këtyre falangave se jemi të fortë.
Kënga që ke kënduar mos u dorëzo kjo është. Ti për mua je gjëja më e shtrenjtë se linde në internim dhe me gjithë ato vuajtje s’mu ndave nga bindjet e mia, por më mbështete deri në këto momente dhe ne do të mbështesim e do jemi me ty. Të duam fort.
Gjykata lë në burg Stresin, Avokati: U kap i zhveshur, ku e kishte armën?
Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi ngelet në qeli. Në seancën e sotme të rivlerësimit të masës së sigurisë, Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në fuqi masën “arrest me burg”.
Këngëtari i njohur me emrin e artit Stresi u arrestua më 17 tetor pasi gjykata e Tiranës kishte firmosur urdhrin e arrestimit.
Avokati Marash Ibraj e quajti arrestimin e Stresit të paligjshëm: “Nuk ka pasur vendim gjykate për kontrolli. Nuk vërtetohet se pistoleta e gjetur i përkiste klientit tim. U kap i zhveshur, ku e kishte armën?”
“Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit'”, thuhej në deklaratën e policisë ditën e arrestimit.
Gjithashtu policia publikoi video ku dukej se Arkimed Lushaj ishte arrestuar brenda në dhomën e një hoteli në zonën e Linzës. Policia tha se, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta”, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm. Ndërkohë avokati i ka hedhur poshtë këto akuza.