Sot ndeshja Barça-Celta

Barcelona do të kthehet në fushë mbrëmjen e së enjtes për ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Kupës së Mbretit, të cilën do ta luajë në shtëpi kundër Celta Vigo-s. Lajmi i momentit në Katalonjë është blerja e Philippe Coutinho-s nga Liverpool për 160 milionë euro, por braziliani nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës për shkak dëmtimi. Pavarësisht nga kjo, trajneri Valverde pritet të hedhë në fushë një ekip të fortë për të siguruar një vend në çerekfinalet e këtij kompeticioni, veçanërisht duke parë se ndeshja e parë është mbyllur në barazim 1-1. Vendasit do të paraqiten në këtë takim me moralin e lartë, pasi kanë thelluar në 16 pikë diferencën me Real Madrid në kampionat.
Me La Liga-n pothuajse të siguruar, katalanasit do të përqendrohen te Champions League dhe Kupa e Mbretit. Ousmane Demebele ka qenë në fushë në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe pritet të jetë titullarë kundër Celta-s. Por edhe miqtë do të zbresin në fushë të motivuar pas barazimit 2-2 të marrë në kampionat kundër Real Madrid. Për sa i takon përballjeve direkte, Celta ka arritur të marrë një barazim 2-2 në ndeshjen e fundit që ka luajtur në “Camp Nou”, një rezultat ky që, nëse përsëritet, do të kualifikonte miqtë në çerekfinale. Megjithatë, Barcelona ka fituar 12 dhe ka humbur vetëm 1 nga 20 ndeshjet e fundit të luajtura kundër Celta-s në “Camp Nou”. Ndërkohë, në pesë nga gjashtë takimet e fundit të luajtura mes këtyre dy ekipeve të dy formacionet kanë arritur të shënojnë.
Pasditen e së enjtes (19:30) do të luhen edhe dy ndeshje të tjera: Sevilla-Cadiz dhe Levante-Espanyol. Për sa i takon ndeshjes së parë, vendasit që e kanë hipotekuar kualifikimin në takimin e parë të fituar 2-0 në transfertë. Për më tepër, Cadiz nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në 5 nga 6 ndeshjet e fundit të luajtura kundër bardhekuqve, të cilët kanë fituar tri përballjet e fundit me Cadiz me rezultatin e përgjithshëm 9-0.
Nërkohë, Levante do të presë Espanyol, pasi fituan ndeshjen e parë me rezultatin 2-1. Megjithatë, historia tregon se barazimi është rezultati më i sheshtë i regjistruar në përballjet mes këtyre dy ekipeve, është verifikuar tetë herë në 22 ndeshje. Të dy ekipet kanë arritur të gjejnë golin në shtatë nga tetë përballjet e fundit të drejtpërdrejta.

Exit mobile version