SOT, ORA 21:00/ Dilema “Broja”, formacioni ndryshon nga mbrojtja në sulm! Silvinjo provon dy variante për sfidën kundër Spanjës

Me seancën e djesh me trajneri Silvinjo ka mbyllur gjithçka sa u takon përgatitjeve për ndeshjen e sotme me Spanjën, duke përfshirë edhe formacionin. Por në këtë drejtim braziliani ka krijuar një situatë pak misterioze, duke provuar disa variante dhe në njërin prej tyre titullar ishte edhe Amir Abrashin, i grumbulluar në mënyrë surprizë në Europian. Është ndeshja e tretë dhe e fundit në grup, që vlen shumë për kualifikimin e mundshëm të Shqipërisë në fazën me eliminim direkt. Në fakt, të shtunën stafi teknik kuqezi provoi një formacion të ngjashëm ose të përafërt me atë të dy ndeshjeve të para në grup. Të dielën ndërkohë ka pasur të tjera lëvizje, ku vetëm skema nuk ndryshonte, kurse emrat në sulm ishin befasues. Në të dy rastet në formacion është provuar Ismajli dhe jo Ajeti, i cili ka qenë titullar deri tani. Taktika dhe strategjia që një skuadër ndjek në një ndeshje të caktuar varet direkt nga kundërshtari. Në rastin konkret, përballë Spanjës nuk ka shumë për të thënë, por Shqipërisë i duhen pikë dhe nuk mund të jetë e orientuar vetëm te mbrojtja.

VARIANTI 1 –

Sipas formacionit të provuar ditën e shtunë, Shqipëria pritet të ketë dy ndryshime në prapavijë, ku vendin e Ajetit në qendër e merr Ismajli dhe atë të Hysajt në krahun e djathtë e merr Balliu. Në portë luan sërish Strakosha dhe mbrojtja plotësohet me kapitenin Gjimshiti dhe të pazëvendësueshmin Mitajn. Në mesfushë pritet të jetë treshja që nisi nga minuta e parë ndeshjen me Kroacinë: Ramadani, Asllani dhe Laçi, me këtë të fundit që shënoi golin e parë dhe bëri një paraqitje shumë të mirë. Dhe në sulm, përveç Bajramit dhe Asanit në krahë, pritet të aktivizohet Broja, i cili merr vendin e Manajt, ndërsa Daku është i skualifikuar. Broja luajti kundër Italisë si titullar dhe asnjë minutë ndaj Kroacisë, ku Manaj dha sinjale shumë të mira.

VARIANTI 2 –

Të dielën trajneri Silvinjo bëri një provë tjetër, ku mbrojtja kishte përsëri Hysajn titullar në të djathtë, për të vazhduar me Ismajlin, Gjimshitin dhe Mitajn përpara Strakoshës. Surpriza e madhe ishte Abrashi në mesfushë, bashkë me Ramadanin dhe Asllanin. Ndoshta është rasti, ku skuadra ka nevojë për grintën e këtij lojtari, pasi është kjo arsyeja pse Abrashi u fut në listën e Europianit përpara Bares. Te ky formacion surpriza ka edhe sulmi, ku u provuan Bajrami, Manaj dhe Seferi. Bajrami ka qenë titullar në të dyja ndeshjet e para në grup, Manaj luajti mirë me Kroacinë nga minuta e parë, kurse Seferi para Asanit në formacion ngre jo pak dyshime. Asani ka luajtur mirë me Kroacinë, duke dhënë asistin për Laçin dhe një tjetër për Asllanin, i cili u ndal nga portieri. Mbrëmjen e sotme do të mësohen edhe zgjedhjet e trajnerit për këtë sfidë delikate.

Exit mobile version