Sot, protesta e maturantëve përpara Kryeministrisë

Një protestë masive pritet të mbahet nga mijëra studentë në orët e para të ditës së sotme para selisë së kryeministrisë. Ndonëse rezultatet e konkurrimit të maturantëve për të ndjekur studimet e larta janë shpallur, askush nga studentët me mesatare të lartë nuk e ka gjetur veten fitues. Kjo për shkak të shkak të aferave të kurdisura nga Ministria e Arsimin me klientelën e Universiteteve private. Në orët e vona të ditës së djeshme elementë kriminalë kanë kërcënuar maturantët për protestën e sotme para Kryeministrisë.
Gjithkush e mban mend fjalimin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla para djemve të kombëtares, në ceremoninë e pritjes pranë Kryeministrisë, ku çuditshëm ministrja deklaronte se ndihej krenare për vajzën e saj që studionte në Francë.
Fjalia që habiti dhe Kryeministrin Rama në fakt, duket se tingëllon më domethënëse tani që ekipi i ministrisë që drejton Nikolla, e ka kthyer në kaos sistemin që përzgjedh maturantët fitues për studimet në universitetet tona publike.
Ministrja është vendosur në qendër të ironive dhe indinjatave njëkohësisht, që kanë pushtuar rrjetin, lidhur me problematikën e Maturës Shtetërore. Sipas komentuesve online, ministrja duhet të ndihet vërtetë krenare që vajzën e ka çuar me studime në Francë.
Ditët e fundit, maturantët kanë denoncuar në media se pavarësisht mesatares së tyre të lartë, nuk janë shpallur fitues në asnjë prej 10 preferencave të tyre.
“Është një kaos i vërtetë. Nuk dimë çfarë bëhet. E kam mesataren 9.4 dhe nuk kam fituar asnjë prej 10 degëve në formular”, thotë një maturant i gjimnazit “Ismail Qemali”.
Sipas tij shpresa e vetme është faza e dytë e përzgjedhjes, në të kundërt do të studioj në privat.
Ndërkaq, maturantët po organizohen po në rrjetet sociale për një protestë para Kryeministrisë ditën e nesërme, kundër problematikave që shoqëruan këtë proces.

Kaosi i qeverisë për t’i kaluar maturantët tek privati

Partia Demokratike denoncoi dje skandalin që po ndodh në sistemin arsimor lidhur me maturantët që kanë konkurruar për të ndjekur studimet e larta. Përmes një deklarate për mediat, Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, theksoi se e gjithë kjo amulli vjen për shkak të dështimit të reformës në arsim.
“Siç parashikuam për reformën e famshme në arsim, ashtu edhe doli. Edi Rama ia doli të prodhojë një skandal dhe dëm të pariparueshëm për të ardhmen e maturantëve, që do të duhet të hynin në universitete. Maturantët nuk kanë një përgjigje sot, pse nuk rezultojnë fitues, edhe pse shumë prej tyre kanë rezultate të larta e shumë të larta. Nuk e dinë si është llogaritur mesatarja e tyre dhe se cila është diferenca midis mesatares të nxjerrë nga shkolla dhe asaj që del nga kriteret e aplikimit. Maturantët nuk u orientuan për gruplëndët preferenciale, të degëve që donin të vazhdonin, para plotësimit të formularit”, u shpreh Duma, ndërsa theksoi se maturantët “nuk u informuan për lëndët me zgjedhje dhe rëndësinë e secilës, në llogaritjen e mesatares sipas profileve. Nuk morën asnjë informacion për degët që donin të ndiqnin. Nuk e dinë se në sa faza regjistrimi, do kalojë vuajtja e tyre për të vazhduar arsimin e lartë. Nuk marrin askund përgjigje për padrejtësinë që po i bëjnë”, tha Duma.
Ajo akuzoi Ramën dhe Nikollën si dy përgjegjësit kryesorë, të cilët duke favorizuar klientelën e tyre shkatërruan meritat e çdo maturanti.
“Qeveria i lau duart, duke ja hedhur përgjegjësinë universiteteve, por gishti i maturantëve është drejtuar sot tek Edi Rama dhe Lindita Nikolla. Sepse ata i tradhtuan, duke i ndryshuar rregullat në prag të përfundimit të maturës. Ishte Rama me Nikollën që vranë meritat e çdo maturanti, mbollën kaos, zhdukën transparencën dhe i futën Universitetet në rrugë pa krye, duke favorizuar klientelën e tyre të universiteteve private. Sot, fshihen pas deklaratave boshe, por në të vërtetë kjo dyshe ka mashtruar, shpërfillur e përçmuar të rinjtë. Eliminimi i Maturës Shtetërore si provim hyrës, mungesa e akteve nënligjore për shkak të paaftësisë totale të MAS, e kanë degraduar sistemin e pranimit në një katrahurë të vërtetë. Mungon merita. Nuk ka asnjë rregull apo normë”, tha Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun.
Duma theksoi se, tallja dhe braktisja e maturantëve nga qeveria duhet të marrë fund, ndërsa ashtu siç duhet të marrë fund i gjithë sistemi i korruptuar kriminal në arsim. “Maturantët nuk e dinë ende, pse ministria i voli atyre miliarda lekë me AKP-në e jashtëligjshme, dhe pasi i sorollati dyerve të shkollave, i ka lënë sot rrugëve para xhamave të universiteteve. Familjet e maturantëve nuk e dinë, se si do t’i përballojnë tarifat e studimit  e lloj-llojet e tarifave që shtohen çdo ditë në kurriz të tyre.
Kjo braktisje e tallje me maturantët duhet të marrë fund. Kjo tallje me të ardhmen e vendit nuk mund të vazhdojë më. Të rinjtë duhet të bashkohen e të ngrohen për t’i dhënë fund këtij sistemi të korruptuar e kriminal në arsim. Maturantët, studentët do të jenë më mirë pa Edi Ramën”.

A.Shahini

Artikulli paraprakMbrojtje me çdo çmim votës në Dibër
Artikulli tjetërFaqja e pare