Nga Ergys MERTIRI
Një vit më parë, kur kjo ide u bë e modës nga shumë mendje të nxehta në anën e opozitës, kam qenë kundër djegies së mandateve. Asgjesimi i mundësisë për të hyrë në parlament do të thoshte vetëvrasje politike, në kushtet kur qeveria ka në dorë të gjitha pushtetet kushtetuese, kur ajo ka monopol biznesin, zotëron mediat, shoqërinë civile, e deri tek krimi i organizuar. T’i heqësh vetes të vetmin institucion të mbetur për të bërë politikë, do të thotë të flakësh të vetmen armë që ke në dorë. Parimisht, djegia e mandateve është diçka e drejtë në një vend ku zgjedhjet janë fituar me para në dorë dhe bandite, por duke qene skeptik në predispozitën e popullit për të reaguar në protesta, e kam parë si një vendim të rrezikshëm.
Sot gjërat janë më ndryshe. Kemi një vit pa gjykata, kemi një prokurore të zgjedhur në kundërshtim me kushtetutën që po fsheh krimet dhe po mbyll dosjet ku inkriminohen ministrat, një sërë skandalesh kanë shpërthyer duke degjeneruar si kurrë më parë imazhin e qeverisë, ndërsa një sërë protestash e kanë masakruar atë në sytë e publikut. E megjithatë, vendimi i opozitës është i vështirë. Problemi është se, ndër të tjera, arbitrat ndërkombëtarë kanë qenë në vijimsi të pafytyrë në qendrimet qe kanë mbajtur dhe kjo e bën të situatën problematike. Dhe, siç pritej, reagimi i tyre filloi ne kor që sot, paturpsisht, papergjegjshmërisht, si gjithmonë.
Megjithatë, mendoj se sot të gjithë duhet të jemi me opozitën, sado pakënaqësi që mund të kemi ndaj saj. Vendi ka nevojë të dëshpëruar për ta rrëzuar këtë qeveri pasi rrezikojmë të shkatërrojmë përfundimisht çdo mundësi normalizimi. Vendi po rrëshket në një sistem të ri politik duke mbetur peng i autokracisë së një njeriu dhe mafias që kap institucionet duke sunduar me mjete kriminale. Nëse vërtetë mendojmë se demokracia është mjeti për ti zgjidhur problemet, duhet të jemi të gjithë të vendosur të rrëzojmë atë që po e asgjeson demokracinë në këtë vend, duke shkatërruar sistemin, institucionet, shtetin e së drejtës, ndarjen e pushteteve, e duke instaluar në sistem monopolet dhe krimin e organizuar.
Opozita këto ditë kaloi Rubikonin dhe nuk ka më kthim prapa: Ose rrëzohet Rama, ose rikthehemi në diktaturë. Na mbetet neve të ndajmë mendjen dhe të vendosim në cilën anë jemi!