Sovrani në timon, ora e hakmarrjes ndaj mashtrimeve

Sot pushteti i kalon sovranit. Ai do të flasë me votë për të rimarrë fuqinë e humbur. I duhet të zgjedhë mes alternativës së pushtetit të djeshëm të njehsuar me rrënimin ekonomik, krimin e organizuar, drogën, rritjen e taksave dhe zhvatjen e pasurisë publike në funksion të klientelës të Kryeministrit në ikje dhe ofertës së opozitës për hapjen e një kapitulli të ri dhe të një Republike të re me më pak taksa, me pensione të larta, me një ofertë ekonomike rigjallëruese për tregun.
Ajo që bie në sy në ofertën e opozitës është se në qendër të saj janë interesat e individit. Do të ulet çmimi i energjisë elektrike që ka bërë që gjatë këtyre katër viteve të burgosen më shumë se 41 mijë qytetarë. Do të falen kamatvonesat, duke lehtësuar shtresat më të varfëra. Do të ketë një fashë për familjet në nevojë, të cilave shteti do t’u garantojë energjinë dhe ujin e pijshëm, duke i subvencionuar këto familje.
Parashikohet heqja e taksave shtesë të qeverisë në ikje për karburantet, gjë që do të sjellë një ulje të çmimit me 15 për qind. Do të ulet taksa e sheshtë në 9 për qind dhe do të ulet TVSH për të gjitha mallrat e konsumit nga 20 në 15%. Një ofertë tjetër mjaft interesante është ajo për nxënësit e shkollave dhe stazhet që do të financohen nga qeveria, ndërsa nxënësit do të kenë mundësinë e drekës në shkollat publike.
Ka një ndryshim të madh mes Bashës dhe Ramës që kërkon një mandat të dytë.
Rama thotë se kërkon të jetë timonieri i vetëm dhe të marrë të gjithë “tepsinë e pushtetit” për vete dhe klientelën e tij, gjë të cilën e ka dëshmuar gjatë këtyre katër viteve, ku përfitues të tenderave publikë në pjesën më të madhe janë 15 klientë të tij, ndërsa përfituesit të koncesioneve me vlerën e 530 milionë eurove janë tre apo katër individë me të cilët Rama ndan paratë që u vidhen shqiptarëve.
E kundërta me ato që propozon Basha. Ai kërkon të vendosë në timonin e  drejtimit të vendit sovranin, duke ja hequr këtë timon oligarkisë, e cila ka bërë që sot Shqipëria sipas raportit të Bankës Botërore është vendi ku 45% e popullsisë jeton në kushtet e varfërisë me më pak se 5 dollarë në ditë.
Sot është dita për të vendosur. 56% e popullisë së vendit, e cila sipas sondazhit të Gallup synon largimin nga Shqipëria ka në dorë sot që të hakmerret ndaj mashtrimeve të këtyre katër viteve të një kaste pushtetarësh që erdhën në pushtet me qëllimin e vetëm për të mbushur kontot e llogarive të tyre në parajsat fiskale. Kjo hakmarrje sot realizohet përmes votës së lirë, duke larguar oligarkinë nga pushteti dhe për të hapur një epokë të re të shpresës dhe zhvillimit ekonomik dhe sigurisë.
Sot duhet të jetë fundi i një aventure të ngritur mbi mashtrimet.

Artikulli paraprakProkuroria, struktura të posaçme për procesin zgjedhor
Artikulli tjetërDemiraj, apel Policisë për zgjedhjet: Larg çdo veprimtarie të paligjshme