Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia i është kundërpërgjigjur deklaratës së para disa ditëve të Jozefina Topallit. Ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli, pas incidetit në KZAZ-në e Shkodrës para votimeve të 30 qershorit deklaroi se, “një demokrat nuk djeg as mandate e as shkolla”.
Bardh Spahia i ftuar në “Kjo Javë” në News 24, i pyetur për deklaratën e Topallit tha se, “një demokrat i vërtetë nuk pajtohet me grushtin e shtetit apo me votimet farës”.
“Një demokrat i vërtetë nuk pajtohet me grushtin e shtetit apo me votimet farsë. Shkodranët e vërtetë, demokratët e vërtetë i kanë thënë jo 30 vjet përpara janë përball madje madje me sakrifica të jashtëzakonshme me diktaturën më të egër ndoshta në botë pikërisht për të fituar të drejtën e votës së lirë, të drejtën e zgjedhjes, dhe në këtë kontekst unë mendoj se qytetarët shkodranë janë më të vendosur se kushdo për të mos e lënë vendin të rrëshqasë drejt diktaturës, për të mos e lënë vendin të rikthehet votimeve pa zgjedhje. Edhe një herë po e them asgjë s’ka më të rëndësishme në një shtet demokratik se sa vota e lirë. Për votën e lirë, ia vlen në fakt çdo sakrificë.
Duke iu rikthyer asaj dite, Spahia thotë se do të donte që policia të kishte pasur një komunikim zyrtar, siç ka pasur nga ana e bashkisë.
“Unë nuk do të doja që policia të kishte ndërhyrë për të marrë nën kontroll dhunshëm institucione të bashkisë Shkodër. Unë do të kisha dash që nga ana e policisë të kishte pas një komunikim zyrtar siç ka pasur nga bashkia e Shkodrës. Ka qenë shumë serioze bashkia gjatë atyre ditëve dhe nuk ka pas asnjë përgjigje zyrtare nga policia e shtetit, që vendosi të zbatojë urdhra politikë, në kundërshtim me dekretin e presidentit. Po të kishte pas komunikim normal, ngjarjet nuk do kishin ndodhur”, është shprehur Spahia.
“Do t’i shkoj kësaj çështje deri në fund”…
Bardh Spahia, në intervistën e parë të dhënë pas lirimit, ka shprehur vendosmërinë e tij për t’i shkuar deri në fund çështjes së ndalimit të padrejtë sipas tij, duke çuar në gjykatë personat përgjegjës.
Spahia tha se këtë nuk e bën vetëm për vete, por për të gjithë protestuesit e mbështetësit demokratë, që siç u shpreh janë ndaluar në mënyrë të padrejtë.
“Do t’i shkoj kësaj çështje deri në fund, pastaj do të jenë organet kompetente që do të nxjerrin përgjegjësit të kujt kanë qenë. Këtë nuk e bëj për vete, e bëj më shumë edhe për ato qindra aktivistë të PD, mbështetës, protestues që janë ndaluar e mbajtur në mënyrë të padrejtë nga strukturat e rendit të influencuara e të drejtuara politikisht apo të përdorura politikisht nga kundërshtarët tanë.
Është e tmerrshme të shikosh se si qytetarë të thjeshtë, qytetarë të ndershëm të këtij vendi, janë ndaluar pa asnjë argument, janë burgosur në mënyrën më të shëmtuar të mundshme sikur ne të ishim pjesë e një vendi diktatorial. Do të jenë avokatët që do të më sugjerojnë kërkesat tona, nëse do të ketë dëmshpërblim financiar, çdo e ardhur hipotetike nga këto do të jemi në gjendje ti adresojmë drejt bamirësisë. Nuk e inicioj këtë çështje për arsye personale, e inicioj për të treguar që Shqipëria nuk pranon rikthime të modeleve të viteve të errëta të viteve të diktaturës”, tha Spahia.
Spahia komentoi edhe deklaratën e deputetes Rudina Hajdari, e cila është shprehur se do të vendosë në dispozicion pagën e saj për të riparuar dëmet në shkollën “Shejnaze Juka’
“Unë nuk mendoj se aty ka nevojë për të bërë një dhuratë të tillë. Aty nuk ka pasur dëmtime të shkollës. Mesa kam informacion ato pak dëmtime që ka pasur i ka marr përsipër bashkia e Shkodrës, e cila është edhe pronare e atij institucioni. Unë mendoj se çdo shqiptar i ndershëm, për më tepër një intelektual, ka një detyrë shumë më madhore se sa të merret me mbulimin e shpenzimeve të papërfillshme aty. Ka detyrën e ngritjes së zërit për rrezikun që i kanoset demokracisë, zgjedhjeve e votës së qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Spahia.
Bardh Spahia tregon arrestimin politik të tij dhe të babait
Bardh Spahia solli në vëmendje edhe situatën me babain e tij, doktori Ali Spahia, i dënuar për agjitacion e propagandë në vitet e diktaturës.
Spahia tha se ndalimi i tij, të cilën e konsideron gjithashtu politik, nuk është thjesht çështje ironi e fatit.
“Unë nuk besoj se është thjesht çështje ironi e fatit, unë besoj se është çështje principesh, është çështje e mënyrës të të menduarit, e mënyrës të të mësuarit të përjetimit të gjërave apo reagimit të situatave të caktuara.
Mendoj se është e natyrshme e çdo intelektuali shqiptar, çdo njeri që e konsideron veten njeri të ndershëm të këtij vendi të tregojë përgjegjshmërinë e vet, përmes vendimeve konkrete për t’i dalë zot këtij vendi, për t’i dalë zot të drejtave të qytetarëve të këtij vendi, dhe mendoj se si në atë kohë edhe sot po e njëjta sakrificë kërkohet, po e njëjta frymë ndikon edhe në veprimet tona.
Unë besoj se nuk është rastësore, është edhe pjesë e rritjes e instruktimit e mësimit për vite të tëra që në vogëli, e ambientit ku rritesh në një farë mënyre, unë ndihem krenar për këtë pjesë. Nuk e konsideroj rastësore, por të mënyrës se si jam rritur.