Spahia: Mungesa e transparencës ndaj virusit Covid-19 fsheh situatën e rëndë në sistemin shëndetësor

Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia, në një intervistë në News 24 u shpreh se, mungesa e transparencës dhe keqmenaxhimi ndaj virusit Covid-19, po fsheh situatën e rëndë në sistemin shëndetësor.

“Për Covid-19 nuk ka asnjë transparencë. Duhet transparencë e plotë mbi gjithcka që bëhet për koronavirusin. Kemi zero informacion për origjinën e testeve, sasinë, cilësinë dhe mënyrën e sigurimit të tyre. Jemi në prag të kolapsit të plotë të sistemit shëndetësor. Në Spitalin Shefqet Ndroqi ka më shumë të infektuar, nga sa deklarohet. E gjitha kjo sjell një dështim të plotë të institucioneve shqiptare në menaxhimin e kësaj situate.

Nevojitet urgjentisht të merren masa konkrete për shtimin e kapaciteteve logjistike dhe për garantimin e personelit të nevojshëm, që duhet thënë se është i pakët në raport me pacientët. Mjekët kanë nevojë për mbështetje dhe trajtim special. Situata kërkon personel të specializuar ose të mirë trajnuar dhe jo personel mjekësor pa asnjë lloj eksperience. Kjo pasi, në vend që të vihet nën kontroll, mund të rrisë rrezikun për përhapjen e virusit.

Shqipëria ka bërë shumë pak teste, 4 herë më pak sesa Bosnja-Herzegovina. Testet sot mund të gjendet, sepse nuk jemi më në situatën e parë të pandemisë së Covid-19. Së paku të bëjmë aq sa bëjnë vendet tona fqinje. Institucionet shqiptare e kanë treguar se nuk iu intereson që të publikojnë shifrat reale. Ne kemi informacion se numri i personave të prekur me koronavirus është më shumë sesa deklarohet”, u shpreh Spahia.

Artikulli paraprakSituata e rëndë/ Mjeku i njohur që përballet në terren me Covid-19 i shkruan ministres së Shëndetësisë
Artikulli tjetërSituata e rëndë nga Covid-19, Meta thirrje qeverisë: Të shtohen ambientet e terapisë intensive