Juristi Kreshnik Spahiu ka hedhur dyshime të forta teksa ka folur për ndërhyrjen në të dhënat e sistemit TIMS, çështje për të cilën është lënë në “Arrest shtëpie” drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Spahiu renditi në emisionin “Noë” të Erla Mëhillit se 3 arsyet se përse mund të jetë bërë ndërhyrja te të dhënat e TIMS-it.
Ai ngriti aludime se mund të jetë bërë për shkaqe politike, për t’i bërë shantazh kundërshtarit, për organizatat kriminale ose për shërbimet sekrete të huaja.
Gjithashtu, juristi deklaroi se shërbimet e huaja sekrete mund të kenë paguar deri në 30-40 milionë euro, për të marrë këto të dhëna.
“Sistemi TIMS nuk do të thotë kush hyn e del në Shqipëri. TIMS ka një bazë të dhënash më të rënda se ato që kanë bërë publike hakerat iranianë. Të gjithë të dhënat e TIMS janë të klasifikuara sekret. Duke nisur nga komisionet e deri të aksionet e policisë, pra nga dosjet e policisë, nga përgjimet, nga ngjarjet kriminale. Këto të dhëna mund të merren për 3 arsye. Mund të përdoren politikisht, për shantazh ndaj kundërshtari politik. E dyta për qëllime mafioze, që mund t’u shiten organizatave kriminale që dinë çdo lëvizje të policisë dhe paguajnë miliona euro për këto. E treta mund të jetë për t’ua dhënë shërbimeve të tjera të ndryshme, që mund të paguajnë deri në 30-40 milionë euro për të marrë info të tilla, përshembull kush ka qenë delegacioni i Blinken gjatë vizitës në Shqipëri, etj. Pra ti u rrezikon jetën personave të shërbimeve sekrete, vetëm se publikon këto të dhëna. Kemi të bëjmë me një cëlulë të strukturuar dhe të mbrojtur politikisht”, theksoi Spahiu.