Spaho: Lajmet për negociata me Ramën janë spekulime për të larguar vëmendjen nga refuzimi i 30 Qershorit dhe raporti i DASH

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho përgënjështroi si të pavërtetë lajmet për negociata mes sekretarëve të përgjithshëm të PD dhe PS, Gazment Bardhi dhe Taulant Balla.

“Ky është spekullim i pastër. Ky është një lajm që del nga zyra e Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga dështimi i 30 qershorit dhe nga raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, që thotë se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkan. Nuk mund të ketë dialog me njeriun që është shkaktari kryesor për krizën. Pazar me Edi Ramën, si këto thashetheme që lëshon ai herë pas herë për të krijuar turbullirë, nuk do të ketë”, u shpreh Spaho.

Lidhur me raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri, Nënkryetari i PD tha se ky është raporti më negativ i dalë ndonjëherë për Shqipërinë dhe përgjegjës kryesor është Edi Rama.

“Raporti është tërësisht me nota negative, si asnjëherë më parë. Raporti përcakton qartë se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkan. Një numër i konsiderueshëm I kompanive amerikane janë larguar nga Shqipëria. Raporti përcakton korrupsionin si faktorin numër një të problemeve në Shqipëri.

Raporti thotë se një mori praktikash të cilat aplikohen nga organizmat shqiptare përdoren për të favorizuar klientelën e tyre. Pra, përdoren për të bërë seleksionime politike, për t’u dhënë tenderat atyre të cilët janë afër qeverisë dhe për të larguar kompanitë e huaja. Rasti i Partneritetit Publik Privat (PPP) shikohet si rast për të larguar kompanitë e huaja, investitorët seriozë. Deri tani qeveria ka dhënë rreth 200 kontrata me PPP, nëpërmjet mungesës tërësore të studimeve, të analizave kosto-përfitime për ekonominë shqiptare”, tha Spaho më një bisedë në studion e News 24.

 

Artikulli paraprakMalltezi-Ballës: Ti e di mirë sa e gjatë është rradha e atyre që janë gati të të japin një mësim të mirë…
Artikulli tjetërSuperskandal! Rama i rrëmben qeverisë të drejtën e blerjes së arit të Shqipërisë dhe ja jep vetes!