Opozita duket shumë e qartë në vendimin e saj për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, sa kohë kryeministër do të jetë Edi Rama.
Ky qëndrim është përforcuar edhe më shumë nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho gjatë një bisede televizive në Ora News, ku është shprehur se, “largimi i Ramës është kusht dhe për negociata me mazhorancën për tejkalimin e krizës”.
“Nuk ka kuptim të marrësh pjesë në zgjedhjet vendore, sa kohë ne betejën po e bëjmë për zgjedhjet e përgjithshme”, tha Spaho.
Por a do të pranojë opozita që negociator të jetë Presidenti, Ilir Meta?
“Ne kemi qenë shumë të qartë në këtë pikë. Nuk hyjmë në negociata pa u tërhequr Edi Rama. Pasi të largohet Edi Rama, sigurisht dikush do të jetë ndërmjetës, Presidenti, ndërkombëtarët, kushdo që të jetë është i mirëpritur për të biseduar për një qeveri tranzitore.
Nënkryetari demokrat ka komentuar po ashtu edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve.
“Asnjëherë nuk ka për të pasur stabilitet nëse nuk do të ngrejnë demokraci të vërtetë. Edhe qëllimi i opozitës është ky që ta lëvizi vendin nga kjo “demokracia” e stabilitetit në një demokraci të qytetarëve”, tha Spaho.
Ndërkohë që sinjali I parë që opozita mund të mos futet në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, është fakti që si PD ashtu edhe LSI, nuk dorëzuan në KQZ emrat e komisionerëve që do të përgatisin procesin zgjedhor te 30 qershorit.