Spaho: Pse nuk e arrestoni Balilin?

Deputeti Braçe denoncoi në Kuvend lidhjen e kontratave për toka bujqësore mes Ministrisë së Bujqësisë dhe shoqërisë së Klemend Balilit gjatë kohës që ai ishte i shpallur në kërkim. “Kontratat nuk janë zgjidhur”, tha Braçe, ndërsa ministri Peleshi tha se kontratat do të rishikohen. Akuzat i referohen kohës kur në krye të këtij dikasteri ishte një ministër i LSI-së. Por në foltore ka reaguar kreu i Grupit parlamentar të PD, Spaho, i cili tha se Balili së pari duhet të arrestohet për drogën. “Një kontratë e nënshkruar në datën 20 maj 2016 midis Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë së ‘Balilit’. Kjo kontratë është lidhur kur partnerët tanë në vendin fqinjë, por edhe agjencitë ligjzbatuese në Tiranë shpallën në kërkim Klement Balilin, kjo është një tradhti që i bëhet Policisë së Shtetit. Kjo është një kontratë e dhënë pikërisht për këta njerëz, nga partia e tyre në kohën kur këta njerëz ishin shpallur në kërkim nga drejtësia. Është shpërndarë tokë vetëm me qëllime partiake dhe elektorale”, tha ai. “Sot dëgjuam gjënë më qesharake që Klement Balilin po na e mbron opozita. Opozita është fajtorja që ai është baroni i drogës së rajonit. Tani na thonë se do ta arrestojnë për një kontratë toke bujqësore. Jo, Klement Balilin ta arrestoni se është baroni i drogës së rajonit dhe të mos e mbani të fshehur dhe të arrestoni edhe Saimir Tahirin që është bashkëpunëtor”, tha Spaho. Po dje, deputeti Edmond Spaho ka replikuar edhe me socialistin Taulant Balla, pas akuzave të këtij të fundit në Parlament. Sipas Ballës, ishte Lulzim Basha ministër i Brendshëm më 2010-ën që firmosi privatizimin e atij që sot njihet si hoteli i Klement Balilit, “Santa Quaranta”, por Spaho replikon me të duke i thënë se të gjitha akuzat janë false dhe synojnë të tërheqin vëmendjen nga një çështje e rëndësishme siç ëshë ajo e Saimir Tahirit. “Kjo nuk do mund të ngjasë sepse kjo dosje dhe të tjera që do të dalin në ditët dhe javët e ardhshme nuk varen më nga ju. Ora e drejtësisë ka ardhur dhe Rama me gjithë shpurën e tij do të dalë para drejtësisë”, tha ai. Gjithashtu Spaho deklaroi se Klement Balilaj është emëruar nga qeveria e Ramës drejtor për ta shpërblyer si trafikant i drogës dhe manipulator i zgjedhjeve. “Ato që deklaroi Taulant Balla për kryetarin e opozitës për lidhje gjoja me klanin e Balilajve dhe ‘Santa Querantën’ janë tërësisht shpifje me synimin për të mbuluar zhvillimet negative në kampin e mazhorancës dhe hetimin e dosjes së Saimir Tahirit nga Prokuroria italiane. Çfarëdo të sajoni, ju nuk do të mundeni dot të fshihni të vërtetën ndaj opinionit publik. Balilaj është i juaji. Opozita dhe kryetari Basha nuk kanë asnjë lidhje as me Balilajn as me ‘Santa Quarantan’ dhe as me trafikantët e tjerë të drogës, të cilët i keni në qeveri, Kuvend, polici dhe administratë. Balilajn e emëruat ju drejtor për ta shpërblyer si trafikant i drogës dhe manipulator i zgjedhjeve. Ne e kemi denoncuar që në vitin 2014 si trafikant droge. Edi Rama e mori në mbrojtje dhe u tall me opozitën kur ne e denonconim. Prej 8 muajsh janë publikuar përgjimet e shërbimeve të huaja se si ai e drejtonte trafikun e drogës dhe në vend që ta arrestoni, e keni fshehur. Ju nuk mund ta arrestoni dot atë sepse po arrestuat Balilajn, do të dalë Rama, Tahiri dhe Gjiknuri. Për të gjithë qytetarët shqiptarë sot është e qartë se si është e vërteta dhe kush është i lidhur me të. Balilaj është produkt i Rilindjes. Ju e morët, e graduat dhe e bëtë baron të drogës në rajon. Por halli juaj është gjetkë. Ju kërkoni të tërhiqni vëmendjen nga hetimet e dosjes së Saimir Tahirit. Për Saimir Tahirin është hapur hetimi në Katanja nga Prokuroria italiane dhe sot hetohet për bashkëpunëtor në krimin e organizuar në dy vende njëkohësisht. Prandaj ju dëshironi të kapni Prokurorin e Përgjithshëm që të shkatërroni, provat, mbyllni hetimet dhe nxirrni të pafajshëm Saimir Tahirin që të shpëtojë edhe Rama. Kjo nuk do të mund të ngjasë sepse kjo dosje dhe të tjera që do të dalin në ditët dhe javët e ardhshme nuk varen më nga ju. Ora e drejtësisë ka ardhur dhe Rama me gjithë shpurën e tij do të dalë para drejtësisë”, tha Spaho.

Artikulli paraprakPse i është bërë atentat kandidatit të Ramës për Kryeprokruror?
Artikulli tjetërDeklaratat e Ballës, PD: Fabrikim mjeran i Edi Ramës