“SPAK dhe GJKKO evidentoi lidhjen e Ramës me bandat dhe vërtetoi krimin zgjedhor”/ Gentian Gaba: Çdo opozitë do ta kapitalizonte goditjen ndaj qeverisë

Nga Gentian Gaba

Janë të mëdhenj shumë me këto tezat që hedhin në mexhelisin digjital, të cilat tregojnë se e kanë mizën nën kësulë për shkak të pazarit për amnistimin e të korruptuarve të Ramës dhe të mbylljes së listave.
Fakti që Apeli i Posaçëm ktheu çështjen te pika e nisjes, pra aty ku Berisha e shpalli veten mbi ligjin, sipas tyre është provë se ata nuk kanë marrëveshje me Ramën.
Problemi është se për të kundërshtuar marrëveshjen me Ramën, këta përdorin premisën që kanë ndërtuar me retorikën e tyre, pra marrin për të vërteta gjërat që thonë vetë dhe këtë autosugjestionim duan ta bëjnë të vërtetën edhe të atyre që kane parë me sy të lirë si e futën në xhep revolucionin me të cilin do rrëzonin Ramën për 6 muaj, duke premutar se ndryshe nga më parë këta nuk bëjnë xhiro në bulevard por i kallin datën Ramës, e më vonë përdorën si me lemzë mosbindjen civile, për t’u ulur me Ramën, duke i dhënë vota pa të cilat ai nuk çonte dot përpara pisllëqet që bëri bashkë me ta. Dhe premisa e tezës së tyre është që SPAK dhe GJKKO janë të Ramës.
Në fakt, e kundërta është e vertetë, sepse po të mos ishte për këto struktura, korrupsioni galopant i qeverisë Rama do ishte një akuzë opozitare, tani është fakt i provuar në gjykata dhe një xhevahir i çmuar për çdo parti të shëndetshme, që mund t’iu kërkoj besimin qytetarëve sepse kryeminsitri i çyrbeve, i provuar nga SPAK si grabitës zgjedhjesh në bashkëpunim me krimin në Durrës dhe Elbasan, është kreu i një grupi xhepistësh të damkosur edhe nga drejtësia.
E vërteta është se Rama do të donte shumë ta kishte nën kontroll SPAK. Ai i bëri përpjekjet, por qenin e ngordhur e gjeti në fund të ropatjes për kapjen strukturës që po i nxjerr ujin e zi bandës së tij, sepse amerikanët i treguan vendin kur donte të impononte në krye të SPAK njeriun që i garantonte status quo-në. Po, Rama ka mundësi të gjejë shtigje dhe shkurtica në institucionet e tjera të drejtësisë, që kanë ardhur nga vota politike, kur iu dha mundësia nga Ilir Meta të prishte konsensusin mes PD dhe PS duke votuar 6 ligjet e famshme organike, por kjo është një histori e vjetër, që nuk duan ta kujtojnë sepse kanë kujtesë selektive.
Tani, kjo faza e ndërtimit të rrëfimit me viktima politke është bërë edhe ca si qesharake, sepse për të mbajtur në këmbë ngrehinën e premisave fallco, kanë ndërtuar një kështjellë me letra, ku fusin Veliajn si viktimë të Ramës, fusin Ahmetaj si të përsekutuar politik etj. etj., pra vetëm e vetëm që të mos thuhet që SPAK po bën detyrën, edhe me kufizimet dhe vështirësitë e pamohueshme sistemike, po amnistojnë hajdutët ordinerë të rilindjes.
Ndërsa e vetmja gjë inteligjente për t’u bërë, gjë e udhës, në shërbim të interesit publik, në dobi të ndryshimit politik, është lënia e çështjeve në duart e SPAK jashtë kampit politik, dhe marshalli i Madhërishëm, nën hijen e të cilit hedhin vallen e servirllëkut të neveritshëm, të shkoj si çdo vdekatar tjetër i kësaj Republike para drejtësisë dhe të ballafaqohet me të gjitha mjetet që i lejon ligji. Kaq e thjeshtë është. Por kanë tre vite që përdorin hallin e tij si retorikë politike, kanë tre vite që telendisin njerëzit me kauza që nuk janë të qytetarëve por të një individi dhe të një grupi të tredhurish që janë mpirë nga sedra dhe ndjenja e turpit, duke u kthyer në garniturën e një qeverie të kalbur nga hajdutëria e saj, duke i mbivendosur debatit publik çështjen e tij, jo prioritetet e shqiptarëve. Dhe këto diskutime pa bereqet mbi çështjen Berisha, hidhen si ushqim në ekranet e mediave, duke penguar çdo debat tjetër me interes publik.
Por kur nuk e kanë kuptuar prej fillimit që një parti nuk mund të përdoret si sistem raketor kundër SPAK, ndërkohë që SPAK po rrafshon ushtrinë e makutëve të Ramës, nuk kanë për ta kuptuar tani, sepse besimi te gënjeshtrat e tua, është fakteqësi më e madhe sesa besimi te rrenat e të tjerëve.
Ja për shembull, Veliaj ishte i bindur se kishte në xhep SPAK, dhe para tre vitesh kërcënonte se do ta sulte për interesat e tij kundër FSH-së. Me shumë vonesë Veliaj kuptoi se kishte noc rrokun, ndërsa pret nga dita në ditë të bjerë si një fik i kalbur nga një pemë që nuk ka më kokrra, por vetëm vragat e korrupsionit 12 vjeçar.
Kështu si Veliaj, me shumë gjasa, ka menduar më parë edhe Rama, por tani do t’i ketë dalë pija e vetëmashtrimjt, prandaj fletë për republikë prokurorësh, prandaj sulmon BKH-në, prandaj ka prerë fondet për SPAK, prandaj ka rënë numri i referimeve për korrupsion nga institucionet e drejtuar nga ai, etj etj etj. I bën këto sepse e di që nuk e kontrollon dot SPAK, e mbi të gjitha Edi Rama e di se çfarë ka bërë në bashkëpunim me ata që janë të dënuar, në hetim apo në arrati, dhe herët apo vonë do përballet me të shkuarën e tij.
Është vetëm çështje kohe…
Exit mobile version